Projekti i shkollës në kampusin e UBT, përplas universitetin me bashkinë dhe banorët

409

Dhjetra studentë dhe profesorati i Universitetit Bujqësor të Tiranës protestojnë prej ditësh kundër një projekti të bashkisë për të ndërtuar një shkollë në hyrje të kampusit universitar, që sipas tyre cënohet nga ndërtimi. Ndërkohë disa banorë të zonës i dolën në krah bashkisë duke bërë kundërprotestë.

Sigal

Studentë të Universitetit Bujqësorë të Tiranës dhe banorë të zonës rreth tij protestuan të mërkurën në hyrje të kampusit universitar. Profesorë të UBT-së dhe dhjetra studentë kundërshtojnë prej fillimit të këtij muaji atë që e cilësojnë “cënim të integritetit të kampusit” prej një projekti të Bashkisë Tiranë e cila planifikon të ndërtojë aty një gjimnaz dhe një shkollë 9-vjeçare, për banorët e zonës.

Ndërkohë profesorati i UBT i mbledhur të ejten vendosi vijimin e protestës. BIRN mësoi se u zgjodh një komitet i cili do të organizojë qëndrimet e mëtejshme, përfshi shkrimin e një rezolute qarkulluese dhe shqyrtimin e mundësive për padi në gjykatë bazuar mbi dyshimet për paligjshmëri të vendimit të Bashkisë së Tiranës.

Studentë protestues dhe opozita kanë akuzar kryebashkiakun Erion Veliaj se shkolla është justifikim për ndërtimin në zonë të pallateve.

“Plani nuk është për shkollë. Puna e shkollës ishte loja. Ai do të bëjë shkollën aty, që pastaj, në gjithë pjesën tjetër, të ndërtojë pallate 10-katëshe”, tha kreu i PD Luzim Basha disa ditë më parë.

Akuzat për pallate i përsëritën edhe studentët në protestë, ndërsa akuzuan banorët kundërportestues se ishin ta paguar nga Veliaj.

Në krahun tjetër dhjetra banorë dolën në mbrojtje të projektit.

“Unë jam që të bëhet shkolla këtu”, tha Xhevrie Karaj, që tha se donte që fëmijët e saj të mos udhëtonin me autobusë, por ta kishin shkollën afër.

Disa banorë i thanë BIRN se protestuesit ishin përfaqësues partish opozitare dhe jo studentë, ata akuzuan profesorë të universitetit që ishin pjesë e protestës si persona që kishin tjetërsuar pronat e UBT-së dhe kishin degraduar godinat.

Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe kryebashkiaku Veliaj në një takim me profesoratin e UBT-së dhe më pas gjatë një interviste në Top-Channel. Veliaj tha se shkolla në atë pikë ishte planifikuar edhe në planin urbanistik të kryeqytetit të bërë kur kryebashkiak ishte Lulzim Basha, ai madje pretendoi se në atë plan zona ishte “miks, për arsim dhe për ndërtime civile”.

Veliaj mohoi akuzat për pallate. “Në planin tonë është e gjitha zonë e kuqe vetëm për produkte arsimore”, tha ai.

Por Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit Maksim Meço i cili kundërshton atë që e sheh si cënim të kampusit i tha BIRN se ndjeheshin të tradhëtuar, pasi atyre u ishte premtuar nga kryeministri dhe vetë kryetari i bashkisë se kampusi do ruhej. Meço tha se nuk ishin pyetur ndërsa shtoi se kishte ndërkohë një masterplan të miratuar me firmë të kryeministrit Edi Rama në vitin 2017 që e njihte zonën si pjesë e UBT-së.

Përplasja e planeve

Meço shpjegoi se ruajtja e territorit të kampusit dhe përdorimi i tij për studentët ishte mjaft e rëndësishme dhe sipas tij me këtë kishte qenë dakord edhe qeveria.

“Në vitin 2017 Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi masterplanin “Për rivitalizimin e Kampusit Universitar të Universitetit Bujqësor të Tiranës” sipas të cilit parcelat i takojnë UBT-së”, tha Meço.

Një tabelë e madhe që njofton këtë masterplan dhe që përfshin në kufijtë e kampusit dhe si pronë të UBT-së edhe parcelat ku do të ndërtohet shkolla është e dukshme përpara Fakultetit të Bujqësisë.

“Ky është kampusi i vetëm në Shqipëri që është ruajtur dhe ne na ishte premtuar që do të ruhej. Nëse qeveria do ta prishë masterplanin që ka miratuar në rregull, le të bëhet edhe këtu siç janë universitetet e tjera”, tha Meço.

Meço po ashtu përmendi faktin se vetë kryebashkiaku Veliaj sëbashku me drejtues të UBT-së kishte qenë në të njëjtën parcelë për të mbjellë pemë, pasi ajo do të ishte pjesë e “pyllit orbital” që është në planet e bashkisë së Tiranës dhe zona do përdorej për të mbjellë pemë eksperimentale.

Meço tha se vendimmarrja e bashkisë ishte krejtësisht e papritur për ta dhe se ishte në kontradiktë me masterplanin e miratuar nga KKT. “Tani ai thotë që projekti i shkollës ishte që në 2015, por është e habitshme se pse bashkia nuk ia tha këtë qeverisë kur u miratua masterplani në vitin 2017”, tha Meço.

Sipas dekanit dhe disa stundetëve ishte mundësia që shkolla të ndërtohej vetëm pak metra më tutje pa cënuar hyrjen në kampus. “Ne nuk jemi kundër shkollës”, tha një student në një nga debatet me banorët, “por duam që shkolla të spostohet 200 metra për të mos cënuar hyrjen në kampus”.

Një mundësi spostimi Veliaj e kundërshtoi në një intervistë dhe në takim me profesorët e UBT-së. Sipas Veliajt do duheshin tre vjet të tjera letra dhe burokraci për të shpronësuar pjesën tjetër të tokës dhe kjo do të vononte ndërtimin e shkollës. Ai tha se plani nuk mund të lëvizte as një metër.

Bashkia pretendon edhe se UBT nuk e zotëron pronën. Pavarësisht kufirit të parashikuar në masterplan, toka me vendim të Gjykatës së Apelit u përket trashëgimtarëve të Kristo Dakos dhe Sevasti Qiriazit themeluesja e shkollës vajzave në Korçë “Mësojtores” në vitin 1891, e cila ishte shtetëzuar gjatë diktaturës.

UBT ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, por vendimarrja këtu është bllokuar për shkak se gjykata është jashtë funksionit. Veliaj e përdori këtë si argument kundër drejtuesve të UBT, ndërsa pretendoi se ata e kishin humbur gjyqin pasi nuk ishin paraqitur në gjykatë dhe nuk ishin interesuar.

Meço nga ana e tij e sheh ndërhyrjen e bashkisë në këtë pikë si problematike. Ai thotë po ashtu se UBT kishte bërë një dosje të ngjashme për shpronësimin e tokës për ta përdorur atë për qëllime të kampusit dhe se ata prisnin ndihmën e qeverisë për të kryer këtë proces.

Protesta paralele

Ndërkohë në hyrje të UBT-së studentët dhe një grup banorësh të zonës qëndruan për orë të tëra në një protestë dhe kundërprotestë që u zhvilluan në të njëjtin vend. Edhe pse kundërshtarë grupet e tyre ishin shpesh të përziera, ndërsa folës nga të dy palët synonin të zinin sa më shumë hapësirë para kamerave ndërsa shkëmbenin akuza.

“Pa i kanë pagujt mo burrë”, thotë një studente për protestuesin e krahut tjetër që po fliste për mediat. Një nga banorët i akuzoi studentët se ata ishin të “ndikuar” dhe dikush pretendoi në kamera se studentët nxiteshin nga një person i LSI, të tjerë i thanë BIRN se protesta organizohej nga PD.

Studentët nga ana e tyre ndërprenë një nga folësit pro shkollës dhe e akuzuan se kostumin ia kishte blerë kryebashkiaku Veliaj. Por përtej përplasjeve me fjalë dy grupet ruajtën qetësinë, ndërsa në disa momente përplasje tingëllonte artificiale me fraza të mësuara përmendësh.

Protestuesit pretendojnë se në zonë do të ndërtohej një godinë universitare Fakulteti i Bioteknologjisë dhe se ajo kishte shërbyer si fushë për të bërë praktikën dhe duhej të mbetej e tillë. Ata po ashtu thonë se ajo duhej të ruhej si pjesë e historisë dhe si kampus i vetëm në vend.

Banorët kundërshtojnë se toka kishte qenë djerrë prej vitesh dhe se askush nuk ishte praktikuar aty. Duke huazuar argumente të kryebashkiakut ata u kujtonin kundërshtarëve tokën në Valias që i është dhënë UBT për të ndërtuar fermë nga qeveria.

Banorët po ashtu sulmuan profesoratin duke akuzuar se kishin bërë më herët pazare mbi pronat e universitetit. Ata këmbëngulën se prona, ku planifikohet shkolla e rrethuar tashmë me llamarina që ruhen nga policë bashkiakë dhe që janë “të zbukuruara” me fotografi maketesh që tregojnë si do të dukej ajo, kishte qenë private dhe ishte blerë nga Bashkia Tiranë.

Kundër këtyre argumenteve studentët akuzojnë se pas shkollës fshihen “pallate me vlerë 400 milion euro”, siç tha njëri prej tyre ndërsa fliste me megafon. Numri i pakët i studentëve dhe pedagogëve protestues u arsyetua me faktin se stafi i UBT pritej të mblidhej të ejten për të vendosur për protestën.

Banorët përndryshe pretenduan se vetëm një grusht njerëzish ishin kundër ndërtimit të shkollës dhe se pas këtyre kishte interesa partiake.

Në krahun tjetër një pedagog pranë UBT u përplas me një grup banorësh pasi ironizoi se vajzat gjimnaziste do të vinin aty partizane. “Do t’i sillni vajzat partizane këtu”, i tha ai një grupi banorësh që reaguan të revoltuar. Pedagogu që nuk pranoi të fliste me emër i tha BIRN që ideja e gjimnazit pranë universitetit ishte e pallogjikshme, duke arsyetuar këtë me moshën dhe praninë e djemve të rritur dhe ngacmimet seksuale.

Argumenti i mospërzierjes mes gjimanzistëve dhe studentëve u përdor edhe nga të tjerë. Një studente i tha BIRN se kjo do bënte që kampusi të ishte i hapur për të huaj dhe kjo i cënonte ata. Por ajo tha se arsyeja kryesore për të dalë në protestë ishte se univeristeti kishte nevojë vetë për mjedise të reja dhe pjesë të kampusit nuk kishin pse përdoreshin për shkolla.

Në krahun tjetër banorët thanë se nuk shihnin asnjë problem. “Për ne është shumë mirë. Ku ka më mirë se t’i kesh pranë të gjitha që nga shkolla 9-vjeçare deri në universitet”, tha një prej tyre. Banorët thonë se në zonë nuk ka hapësira për të ndërtuar shkollën dhe se vendi i zgjedhur është mjaft i mirë pasi është pranë shtëpive.