Presioni për paratë e prostitucionit çoi në vetëvrasje 24-vjeçaren

510
E mashtruar nga i dashuri 4 vjet më i ri Albana F. ka lënë gjithçka në Tiranë dhe është nisur drejt Greqisë për një jetë më të mirë, por u shfrytëzua për disa muaj si prostitutë. Rrëfimi për policinë dhe akuza ndaj ish i dashuri Ëndërroi për një jetë më të mirë, duke i besuar dikujt që e njohu në “Facebook”, por përfundoi prostitutë për disa muaj në Greqi dhe më pas u përball me presionin e të dashurit, i cili e çoi drejt vetëvrasjes, nga e cila shpëtoi falë ndërhyrjes së mjekëve. Detaje të reja dalin nga historia e trafikimit të 24-vjeçares Albana F. në Greqi nga i dashuri i saj Rahman Sufa 20 vjeç dhe nga 5 bashkëpunëtorët e tij. Në operacionin e koduar “Diva” policia ka mundur të vërë në pranga 4 prej personave që trafikuan 24-vjeçaren si dhe kanë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Si u zbulua ngjarja
Në datë 26 korrik 2015 Albana F. ka tentuar të vrasë veten, duke pirë aceton. Pas marrjes dijeni për rastin dhe ndërhyrjes së forcave të policisë, Adelina F., në deklarimet e saj, ka shpjeguar se në muajin maj i dashuri i saj, Rrahman Sufa e ka detyruar të shkojë në Greqi në një ishull dhe atje ka punuar në një lokal nate, por është detyruar të punojë dhe si prostitutë. Ajo deklaron se më pas është kthyer në Shqipëri, ku është mbajtur nga ky person te tezja e tij dhe në një hotel në Kombinat. Ai i ka mbajtur kartën e identitetit dhe pasaportën Albanës dhe sipas saj e ka mbajtur nën presion me kërcënime. Albana ka treguar se hera e fundit që ka marrë kërcënime nga Rahmani ka qenë në mëngjesin e 26 korrikut në vendin e quajtur “Kthesa e Arbanës”, ditë në të cilin ajo nga presioni ka tentuar të vrasë veten.
Mashtrimi për një jetë më të mirë
Duke qenë se Albana nuk ka qenë në gjendje të japë shpjegime në datën 26 dhe 27 korrik ajo është pyetur në datë 28 korrik 2015 ku ka shpjeguar se me Rrahmanin është njohur rreth një vit më parë në “Facebook”. Ky i fundit e ka marrë atë në telefon dhe kështu kanë pirë kafe dhe janë lidhur më pas. Në muajin mars Albana ka lënë punën e saj që bënte në një firmë private, sepse Rrahmani i kishte propozuar të shkonin në Greqi, ku ajo do të punonte si kameriere në klub. Sipas Albanës, Rrahmani i ka premtuar asaj një jetë më të mirë dhe një lidhje serioze. Në Greqi e priste një kushëri i Rrahmanit i quajtur Ersid Ferati, i cili do të siguronte dhe punën.
Shfrytëzimi si prostitutë
Albana dhe Rahmani janë nisur drejt Greqisë me automjetin e një shokut të Rrahmanit, të cilin e thërrisnin “Piku”, së bashku me ta ishte edhe Anduel Kodra. Kur kanë mbërritur në Korçë Andueli ka takuar një person me makinë të zezë , me të cilin kanë negociuar që të kalonte Albanën në anën greke, në një fshat të Greqisë kundrejt shumës 150 euro. Në pikën kufitare të Kapshticës Albana ka hipur në makinën e të njohurit të Anduelit dhe janë nisur për Greqi, ndërkohë që Rrahmani i ka thënë se do të vinte pas një jave në Greqi.Albana ka mbërritur në një fshat të Greqisë. Mbas disa ditësh ka shkuar Ersid Ferati, i cili e ka çuar fillimisht në Athinë e më pas në një ishull të Greqisë. Atje kanë shkuar te një klub nate dhe Ersidi e ka prezantuar Albanën me pronarin e klubit. Ky i fundit i ka shpjeguar asaj se do të punonte si shoqëruese për klientët në tavolina, ku ata do të konsumonin alkool dhe me pas do të kryente marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës që klientët do të bënin. Albana u akomodua në një dhomë të hotelit, ku qëndronte së bashku me Ersidin, ku edhe ushtronte prostitucion me klientët e klubit. Paratë për prostitucionin i merrte pronari i klubit dhe të nesërmen i jepte gjysmën e pagesës së fituar. Albana merrte 50 euro për klient. Këtë aktivitet e ka kryer për disa ditë derisa e ka marrë në telefon Rrahmani duke i thënë se e ka kapur policia greke dhe do të kthehej në Shqipëri. Ai i ka thënë që të bëjë lekët e biletës dhe të kthehet në Shqipëri.
Presioni që e çoi në vetëvrasje
Në Shqipëri, Albana është kthyer me autobusët e linjës, pas disa ditësh. Në Tiranë Rrahmani ka filluar t’i bëjë presion, duke i thënë se ajo nuk ishte treguar korrekte në ndarjen e parave që kishte fituar në Greqi. Pretendimit të tij Albana i është përgjigjur me faktin se gjatë lëvizjes nga Greqia për në Shqipëri i kishte shpenzuar. Kështu Rrahmani e ka mbajtur në shtëpinë e tezes së tij në Kombinat dhe me pas në një hotel. Ai i ka mbajtur kartën e identitetit dhe pasaportën dhe e ka dhunuar me pretendimin se ajo i detyrohet 2000 euro për shkak të shpenzimeve që ai ka bërë për ta dërguar atë në Greqi. Ai i ka thënë se pas kësaj ngjarjeje ajo duhet të bënte gjithçka që i thoshte ai. Pas këtij debati Albana ka shkuar në shtëpinë e saj dhe atje ka pirë aceton me qëllim që të vriste veten.
Sigal