Prej 2 vitesh asnjë dosje e plotësuar dhe dorëzuar në gjykatë

414
Sigal

Zvarriten pa fund mbi 600 dosje korrupsioni

Organet e drejtësisë në Elbasan, prej 2 vitesh nuk dërgojnë të plotësuar pothuajse asnjë dosje korrupsioni. Zvarriten pa fund mbi 600 dosje korrupsioni, brenda të cilave akuzohen mjekë, mësues, pedagogë, drejtorë e nëndrejtorë shkollash, drejtorë ndërmarrjesh, zyrtarë të Qarkut, Prefekturës, Bashkisë, komunave, gjyqtarë, prokurorë, oficerë gjyqësorë, policë e shefa policie, faturistë energjie e uji dhe deputetë. Asnjë dosje e plotësuar me fakte nuk ka vajtur në Gjykatën e Faktit Elbasan, asnjë dosje nuk mbyllet, prej muajit prill 2014, asnjë dosje nuk hetohet në bashkëpunim me institucionet e tjera ndihmëse. Dhe kjo ndodh kur qeveria dhe strukturat e saj, kur organizmat e KiE, BE dhe PE, po çirren dhe kërkojnë nga Shqipëria rezultate konkrete në hetimin dhe dënimin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Mbi 600 dosje presin, rrinë dhe kanë zënë pluhur 4 gisht në zyrat e organeve hetimore, presin të mbushen me fakte për zyrtarët e akuzuar për vjedhjen e energjisë, parave të investimeve, tenderët e rrugëve, abuzimet me lekët e taksapaguesve, për akuzat e qytetarëve dhe KLSH për pronat dhe trojet e grabitura. Prej 2 vitesh, Gjykata e Elbasanit nuk gjykon sipas procedurave ligjore një zyrtar të akuzuar, nuk dënon një zyrtar të denoncuar, por merret dhe rimerret me gjykimet e hajdutëve të bagëtive, ndonjë shoferi të dehur, apo vjedhësi celularësh. Kjo, pasi organet hetimore gjithmonë përgjigjen se “jemi në proces hetimi, po hetojmë akoma, po gjurmojmë, po përgjojmë, do të informojmë”. Kështu ka ndodhur me qindra dosje që nuk u dihet fati se cili ka qenë, janë mbyllur apo janë zhdukur, janë hetuar apo janë futur në sirtar për tu mbajtur si mjete presioni dhe korrupsioni. Zvarritja pa fund e mbi 600 dosjeve të korrupsionit, mbetet problematika më e pazgjidhur në organet hetimore. Kjo ka sjellë edhe përplasjen e shpeshtë institucionale mes Prokurorisë, Policisë dhe Gjykatës, për faktin se uniformat blu gjatë fazës hetimore vazhdimisht dërgojnë fakte sporadike, kurse hetuesit dhe prokurorët i rikthejnë, i dokumentojnë i refuzojnë, i rikërkojnë, dhe kështu ikin javët, muajt dhe vitet. Një pjesë e atyre që janë të akuzuar në dosjet e organeve hetimore, aktualisht janë në detyrë, duke nisur nga tre gjyqtarët e Elbasanit, apo dhe disa drejtues shkollash dhe institucionesh. Kjo padyshim tregon bashkëpunimin e dobët të organeve hetimore  me ato policore dhe gjyqësore, por edhe sfidën që i bëjnë hapur ligjit. Vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, janë të propozuar dhe të akuzuar për “korrupsion, dhe vjedhje të parave të investimeve”, 410 zyrtarë në Elbasan, ndërkohë që Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, ka nisur prej disa muajsh hetimin për 300 persona, të gjithë nëpunës të institucioneve në shkallë prefekture. Hetimi që zë fill nga policia dhe shtrihet në zyrat e organit të akuzës, duket si fijet e mëndafshit, që zvarriten pambarim ditën dhe këputen natën. Asgjë konkrete, pavarësisht se premtohet në çdo analizë  vjetore që bëjnë institucionet e drejtësisë. Edhe gjatë analizës së fundit për vitin 2014, hetues e prokurorë, policë e agjentë të Krimit Ekonomik, premtuan se “do ti shkojmë deri në fund zbardhjes së denoncimeve, hetimeve dhe do ti kryqëzojmë zyrtarët e korruptuar”, por duket se kjo ky qenë refreni i radhës, për të përmbyllur para mediave takimin me të deleguarin e eprorëve të tyre të ardhur nga Tirana.

 Artur AJAZI