Prangoset gjyqtari i Pogradecit, Dhimitër Pojanaku u kap në flagrancë me ryshfet

425
Sigal

Një gjyqtar është arrestuar në Pogradec nën akuzën e korrupsionit pasiv. Sipas informacioneve të para të policisë, Dhimitër Pojanaku është arrestuar në flagrance, ndërsa akuzohet se ka marrë ryshfet rreth 500 mijë lekë për të mos nisur një proces gjyqësor.

Mësohet se, arrestimi është kryer me një urdhër të prokurorisë së Korçës. Lidhur me arrestimin, mësohet se, Prokurori i Përgjithshëm ka njoftuar menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Departamenti për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, pas një hetimi disa javor, dje bëri të mundur finalizimin e operacionit policor “PRITJA”, me arrestimin në flagrancë të shtetasit Dhimitër Petraq Pojanaku, vjeç 57, banues në Pogradec, me detyrën e Gjyqtarit në Gjykatën e Shkallës së Parë Pogradec. Ky shtetas dyshohet për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal. Nga materialet e administruara në kuadër të këtij hetimi dyshohet se, shtetasi Dhimitër Pojanaku, duke qenë në detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Pogradec, i ka kërkuar një qytetari në formën e ryshfetit një shumë parash prej 45.000 lekësh për të hequr dorë si gjyqtar, nga një proces civil që qytetari kishte me shtetas të tjerë. Nga shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit, duke ju referuar fakteve të mësipërme, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale, grumbullimit të provave dhe vënies para përgjegjësisë penale të shtetasve të dyshuar, në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, u kryen të gjithë veprimet procedurale, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Dhimitër Pojanaku. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma prej 25.000 lekësh të reja. Po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti të kundraligjshëm dhe personave të tjerë të implikuar.