Pranga për dhunë ndaj gruas…në banesë i zbulohet arsenal armësh

538
Sigal

MAT – Denoncimi i një gruaje se personi me të cilin ajo bashkëjeton ushtronte dhunë ndaj saj, ka çuar jo vetëm në arrestimin e 42-vjeçarit Hazbi Kutagja nga Mati, por dhe zbulimin e një arsenali armësh në banesë. Gjatë kontrolli policia zbuloi ndër të tjera, se Kutagja vidhte edhe energjinë elektrike përmes një lidhje të paligjshme.
 
Bashkëjetuesja telefonoi policinë: Kutagja më dhunon
Policia e Matit  arrestoi në flagrancë 42-vjeçarin Hazbi Kutagja me akuzën e dhunimit të bashkëjetueses, banues në komunën Suç të rrethit Mat. Ngjarja ndodhi dje në orët e vona, ku Policia e Matit mori një telefonatë për dhunë në familje nga shtetasja me incialet I.K, bashkëjetuese e të arrestuarit Hazbi Kutagja.
 
Gjatë arrestimit në flagrancë të Hazbi Kutagjajt dhe kontrollit të kryer në banesën e tij, policia ka gjetur edhe një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh luftarake të cilat më pas janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Armët dhe municionet e gjetura në banesën e Hazbi Kutagja
1-Automatik model 56 copë 1 (një).
2-Pushkë model 56 copë 1 (një).
3-Pushkë model 63 copë 1 (një).
4-Fishekë model 56 copë 111 (njëqind e njëmbëdhjetë).
5-Fishekë model 54 copë 68 (gjashtëdhjetë e tetë).
6-Fishekë arme gjahu copë 11 (njëmbëdhjetë).
7-Granata dore copë 2 (dy).
8-Ndezësa grantash copë 6 (gjashtë).
9-Kapsolle elektrike copë 125 (njëqind e njëzet e pesë).
10-Kallëpe lënde plasëse copë 10 (dhjetë).
11-Fitil zjarrpërcjellës 20 metër.

Kutagja debitor edhe ndaj OSHEE, vidhte energjine
Veç akuzave për dhunë në familje dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, i arrestuari Hazbi Kutagja do të ndiqet penalisht edhe për veprën penale ”Vjedhje e energjisë elektrike” parashikuar nga neni 137 i Kodit Penal, pasi gjatë kontrollit në banesë të ushtruar nga policia, është konstatuar vjedhje e energjisë elektrike nga ana e këtij të fundit.
 
Materialet procedurale dhe hetimore në ngarkim të Hazbi Kutagja, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat për veprime të mëtejshme.