Pranga adoleshentëve që vidhnin makinat në Durrës

446
Sigal

U finalizua me sukses operacioni “Golf Wolsvagen”. 13 automjetet janë vjedhur në periudhën korrik-shtator

Ka qenë operacioni i koduar “Golf Wolsvagen” ai që ka bërë të mundur prangosjen e dy adoleshentëve të dyshuar për vjedhjen e 13 makinave. Vjedhjet janë kryer në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit dhe preh kanë rënë shtetasit kosovarë.

Ngjarja

Policia e qytetit bregdetar ka kapur në flagrancë dy autorët, të cilët po tentonin të vidhnin një tjetër automjet në qytetin e Durrësit. Ndërkohë, pas hetimesh intensive të strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës është bërë i mundur dokumentimi i autorësisë së vjedhjes së 13 automjeteve nga ana e këtyre shtetasve në qytetin e Durrësit, në periudhën korrik-shtator. Dy nga autorët u kapën në flagrancë teksa po tentonin të vidhnin një tjetër automjet rreth mesnatës në lagjen nr.13 në Durrës. Të arrestuarit janë Everaldo Demir Cano, 18 vjeç nga Mamurrasi, si dhe Elsad Demir Cano, 21 vjeç nga Mamurrasi. Ndërkohë, nga strukturat e policisë është shpallur në kërkim një tjetër shtetas i dyshuar si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Nga hetimet intensive të kryera në mbi 6 raste ka rezultuar që mjetet u janë vjedhur shtetasve Kosovarë. Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve i janë referuar Prokurorisë, ndërkohë, vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tyre.