Policia sekuestron 640 gram kokainë në Vlorë, arrestohen 3 persona

447
Policia e Vlorës ka sekuestruar sot 640 gram kokainë dhe ka vënë në pranga 3 persona. Sipas të dhënave zyrtare, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Trekëndëshi” ku përveç drogës është sekuestruar edhe një armë zjarri “Zastava”. Ndërkohë janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

1. Gj.M., 15 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Vlorë;
2. Xh.V., 16 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë;
3. Ilia Papa, 50 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë.

Më datë 13.11.2015, rreth orës 12:00, është bërë i mundur realizimi i këtij Operacioni në lagjen “Partizani”, ku janë kapur në flagrancë tre persona të cilët merreshin me shpërndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike të llojit “kokainë” të presuar, me një çmim prej 70 euro secila dozë.

Strukturat e Policisë së Vlorës, gjatë një hetimi 1-mujor, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të dy shtetasve minorenë (Xh.V dhe Gj.M) në rrugën kryesorë drejt Spitalit Rajonal, në vendin e quajtur Ish-Kinema “Ali Demi”. Gjatë kontrollit fizik që iu bë shtetasit Xh.V., Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 350 gram kokainë, (të mbështjellë me letër plastike të tejdukshme) dhe një armë zjarri tip “Zastava”, të fshehura në trup.

Menjëherë, Shërbimet e Policisë, kanë bërë të mundur identifikimin dhe goditjen e Bazës së lëndës narkotike, në fshatin Babicë të Madhe, e cila ishte banesa e shtetasit Ilia Papa, ku u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i një sasie lëndë narkotike prej 290 gramësh kokainë, e fshehur në dollapin e rrobave të tij. Gjithashtu, këtij shtetasi iu bllokua dhe iu sekuestrua një automjet tip “Peugot-306”, me targë AA523KL. Policia deklaron se: Nga shitja në treg e kësaj sasie lënde narkotike, shuma totale e parave, kap vlerën monetare prej 50 mijë eurosh.
Sigal