Policia i gjen vlonjatit 11 kg kanabis në shtëpi

Një 24-vjeçar nga fshati Lapardha i Vlorës është arrestuar pasi u kap me një sasi kanabis prej 11.6 kilogramë. Sipas policisë lënda narkotike u gjet në banesën e shtetasit Kristo Abazaj.

Policia sqaron: Më datë 16.05.2017, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Kristo Abazaj në fshatin Lapardha, Bashkia Selenicë, kanë gjetur të fshehur një sasi me lëndë narkotike, e cila pas peshimit ka rezultuar me peshë prej 11 kilogramë e 600 gramë e dyshuar si Cannabis Sativa. Lënda narkotike u gjet e fshehur ngjitur me murin rrethues të kësaj banese, e cila ishte e vendosur në tre thasë sintetikë.

Policia arrestoi menjëherë shtetasin Abazaj, i cili dyshohet të jetë autor i kryerjes së veprës penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” neni 283/1 i Kodit Penal.