Policia e Shtetit zbardh ngjarjen në Laç

415
Në datë 04.09.2015, në orën 23:40, Salla operative e Komisariatit të Policisë Kurbin, mori njoftim për një konflikt të ndodhur në një lokal në Patok. Menjëherë Policia e Kurbinit ka shkuar në vendngjarje për të kryer veprimet. Në Komisariat është paraqitur shtetasi Gjok Çali, për të bërë kallëzim se është goditur nga shtetasi Armando Prenga (deputet i Kuvendit të Shqipërisë). Në momentin që ky shtetas po jepte kallëzimin në ambientet e Policisë, janë afruar përpara ambienteve te Policisë, në rrugën që të çon në Komisariat, një grup shtetasish, palë në konflikt, në mes tyre dhe deputeti Armando Prenga. Në debat e sipër ata janë përleshur me njëri-tjetrin duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri. 

Policët që ndodheshin në Komisariat kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin. Nga ky konflikt kanë mbetur të plagosur 7 persona: • Gazmir Jushi, 39 vjeç, banues në Kurbin, plagosur me mjete prerëse dhe të forta, jashtë rrezikut për jetën. • Eduart Prenga, 36 vjeç, banues në Kurbin, plagosur me mjete prerëse dhe të forta jashtë rrezikut për jetën. • Tom Çali, 66 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me armë zjarri jashtë rrezikut për jetën. • Gjergj Çali, 55 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën. • Gjok Çali, 51 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën. • Nikoll Çali, 53 vjeç, banues në Fushë Kuqe dhe i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën. • Françesk Çali, 30 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta. Këtyre shtetasve u është dhënë ndihma e parë mjekësore në Spitalin e qytetit të Laçit dhe më pas janë dërguar në Qendrën Spitalore të Traumës Tiranë. Aktualisht të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën. Polica e Kurbinit ka njoftuar menjëherë prokurorinë e rrethit dhe prokurorinë e Përgjithshme dhe është ngritur një grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e prokurorisë filloi menjëherë kryerjen e veprimeve hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, dhe vënien para përgjegjësisë së përgjegjësve. Është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe marrë në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja fishekësh model 54, një teh biçaku. Polica gjatë ushtrimit të kontrollit në banesa, ka gjetur në banesën e shtetasit Gazmir Jushi 1 armë zjarri automatik model 56, sekuestruar në cilësinë e provës materiale, si dhe gjatë kontrolleve të tjera të banesave janë sekuestruar 6 armë gjahu dhe 1 automjet. 

 Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe proceduriale rezulton që palët janë konfliktuar për motive pronësie. Në funksion të zbardhjes së ngjarjes janë shoqëruar në ambientet e Policisë 36 shtetas nga të dy palët në konflikt. Në lidhje me këtë ngjarje është vendosur masa e arrestit në flagrancë për gjashtë shtetas të përfshirë në konflikt, midis tyre edhe deputeti Armando Prenga, i cili nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje dhe u arrestua në flagrancë me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Përgjithshme për veprime të mëtejshme dhe hetimin e plotë të ngjarjes dhe gjithë personave të përfshirë në të.
Sigal