Policia e Shtetit ka armatosur me 56 “kallashë” e me “depo” municioni policinë private “Balili shpk”

571
Drejtoria e Policisë së shtetit Shqiptar e ka armatosur Klement Balilin dhe policinë e tij private “Balili sh.p.k.” me kobure, me 56 kallashnikovë, me fishekë, jelekë anti-plumb, me bomba lotsjellëse, me thika profesionale, me pranga, me dylbi, me leje skafi, me makina të blinduara e me gjithë arsenalin e armatimit dhe pajisjeve që lejon ligji për policitë private, ndërkohë që kjo polici private ruan institucione shtetërore në arsim, shëndetësi, bashki, porte, banka e kudo 
Sipas ligjit, në momentin kur zbulohet se personi që ka në pronësi biznesin e policisë private është dënuar, ka precedent penalë atij dhe subjektit i hiqet certifikimi dhe licencimi si shërbim polici private, por pikërisht ky detyrim nuk po zbatohet nga Ministri Tahiri as tani që Klement Balili rezulton me dosje penale e në kërkim ndërkombëtar, madje sipas dosjes së e certifikimit, Balili i shpallur në kërkim rezulton “i pastër” në letrat e policisë së shtetit
Një fakt tjetër zbulohet në lidhje me dosjen “Balili”, tashmë në arrati e kërkim ndërkombëtar (sipas policisë shqiptare), larguar nga Shqipëria nën indiferencën e plotë të organeve drejtuese dhe “ison” e shërbimeve të Policisë së Shtetit, të cilët siç duket me urdhër nga kupola e ministrit Tahiri e të “Rilindjes” e lejuan Klement Balilin të kalonte kufirin shqiptar, paçka se kishte një urdhër për mbajtjen e tij nën mbikëqyrje policore gati për arrestim, në pritje të letrave nga drejtësia dhe policia greke e nga shtetet të tjera, ku kishte gjurmë “trafiku droge” të tij. Sipas një informacioni me burim Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të ardhur dje në gazetën “Telegraf”, thuhet se Klement Balili ka një aktivitet biznesi me objekt “Polici Private” në Sarandë, të regjistruar me emrin “Balili shpk” e cila vepron me ruajtje objektesh e transport vlerash monetare për bankat, ruajtje institucionesh e subjektesh private në Sarandë, Delvinë e në krejt Qarkun e Vlorës, por edhe në qarqe të tjera ku vazhdon e garon për tendera.

 Informacioni nuk ka lidhje me numrin e tenderëve që ka fituar policia private “Balili shpk” nga institucione shtetërore, por me një fakt tjetër skandaloz, që ka si përmbajtje një akt antiligjor e abuziv me rrezikshmëri të lartë shoqërore, miratuar e lejuar në favor të kësaj policie private e cila ka si pronar një eksponent të akuzuar, të arrestuar e të kërkuar për trafik ndërkombëtar droge, me epiqendër Greqinë dhe “baza” në disa shtete të tjera, por që policia shqiptare nuk e arrestonte edhe pse kishte letër porosinë nga Greqia e nga shërbimet hetimore ndërkombëtare, paçka se e kishte në zyrë shteti, si drejtor! Sipas informacionit që na ka ardhur nga burime brenda Drejtorisë të Policisë së Shtetit, rezulton se kjo drejtori e ka licencuar Klement Balilin si administrator të policisë private, në kundërshtim me Ligjin Nr. 75/2014 datë 10.7.2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, sipas të cilit personat që kërkojnë certifikim dhe licencim për shërbim policie private, duhet të verifikohen për figurën e tyre publike dhe penale e po kështu edhe punonjësit që do të punësohen si drejtues, inspektorë e policë privatë. Këtë detyrim ligjor, Policia e Shtetit jo vetëm nuk e ka zbatuar, por ka falsifikuar të dhënat, duke plotësuar një dosje fallco, sikur “Klement Balili është figurë e pastër penale e publike pa asnjë precedent penal, administrativë e publik”. Ndërkohë, po me letra zyrtare, rezulton se policia shqiptare ka pasur në tavolinë dosjen “Eskobar-Balili” dhe kërkesën ndërkombëtare për arrestimin e tij, të depozituar nga Greqia e disa shtete të tjera. Kjo heshtje vazhdon edhe sot prej Policisë së Shtetit e sidomos prej ministrit Saimir Tahiri, duke mos bllokuar këtë shoqëri e duke mos “hapur” letrat fallco me të cilat është bërë dhe vazhdon lejohet certifikimi të Balilit si administrator të policisë privat dhe si biznes policie private! 

Drejtoria e Policisë së Shtetit ka shkelur haptazi dhe me qëllim Nenin nr. 10 të Ligjit Nr. 75/2014 datë 10.7.2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, i cili përcakton kriteret për certifikimin e drejtuesit të policisë private. Me këtë ligj, Drejtoria e Policisë së Shtetit detyrohet të bëjë paraprakisht verifikimin e besueshmërisë për personat aplikantë për titullar subjekti dhe për drejtuesit teknik të policisë private që kërkon licencim, duke marrë informacion te detajuar nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit, për të mbledhur të dhënat e regjistrave fizikë dhe elektronikë të të gjitha institucioneve shtetërore, lidhur me aplikuesit. E po kështu, në rast se këto të dhëna rezultojnë fallco, në momentin kur zbulohen, personit dhe subjektit i hiqet certifikimi dhe licencimi si shërbim polici private! Pikërisht ky detyrim nuk po bëhet nga Ministri Tahiri as tani që Klement Balili, rezulton me dosje penale e në kërkim ndërkombëtar! Drejtoria e Policisë së shtetit e ka nxjerr dhe e trajton ende si “të pastër” Klement Balilin! E sikur të mos mjaftonte ky skandal me krim fshehjen e të dhënave të një personi në kërkim ndërkombëtar edhe prej policisë shqiptare, Drejtoria e Policisë së shtetit Shqiptar e ka armatosur Klement Balilin dhe policinë e tij private “Balili sh.p.k.” me kobure, me 56 kallashnikovë, me fishekë, jelekë anti-plumb, me bomba lotsjellëse, me thika profesionale, me pranga, me dylbi, me leje skafi, me makina të blinduara e me gjithë arsenalin e armatimit dhe pajisjeve që lejon ligji për policitë private. Kujtojmë, që policia private “Balili shpk” pronë e Balilit është fituese e shumë tenderave të ruajtjes dhe sigurisë së institucioneve shtetërore në arsim, shëndetësi, bashki, kulturë, qark, banka e kudo! 
Ligji Nr. 75/2014, datë 10.07.2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”

Neni 10 
Kriteret për certifikimin e titullarit 
Pajiset me certifikatën e titullarit të SHPSF-së personi që plotëson këto kritere: a) të jetë me arsim të mesëm, të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar; b) të përmbushë kriterin e besueshmërisë, sipas kuptimit që i jep ky ligj, si dhe të ortakëve të tij në rast se ka; c) të mos ketë qenë dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale.
Neni 28 
Verifikimi i besueshmërisë 
1. Verifikimi i besueshmërisë për personat aplikantë për titullar subjekti dhe drejtues teknik të SHPSF-së kryhet nga strukturat përgjegjëse të policisë në raport me të dhënat e regjistrave fizikë dhe elektronikë të të gjitha institucioneve shtetërore. 2. Forma dhe përmbajtja e formularit të besueshmërisë përcaktohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Sigal