Policia dhunon 70-vjeçarin, PD: Policia e Tahirit sulmon në mënyrë primitive qytetarët

455
Partia Demokratike ka reaguar ndaj videos së publikuar në media ku duken policët që ushtrojnë dhunë ndaj një qytetari
Deklarata e PD: 
Vetëm pak minuta pasi Edi Rama shpalli sa krenar ishte për policinë e tij, dhe foli për revolucionin e madh, një karvan i uniformave të tij jo vetëm eci përpara, por nxori me dhunë nga banesa e tërhoqi zvarrë një 70 vjeçar në mes të ditës në Tiranë. 70 vjeçari, në videon që po qarkullon në gjithë mediat, dëgjohet teksa thotë se është invalid. Ai u bën thirrje ta lëshojnë, dhe shpreh indinjatën për dhunën e 20 policëve ndaj një të moshuari.
Kjo video është dëshmia e policisë së Tahirit dhe Edi Ramës, që nën drejtimin e tyre dhunon një 70 vjeçar invalid, ndërkohë që lejon drogën të pushtojë vendin e u shërben bosëve të trafikut. Kjo është policia e Tahirit që sulmon në mënyrë primitive qytetarët, e ndërkohë flak në rrugë 7 oficerë që prekin pa dashje kunatin e ministrit. Krerët e policisë së Tahirit janë sekserët e kanabisit.
Krerët e policisë së Tahirit janë në shërbim të habilajve, të Balilit, të Shullazit, të bandave e trafikantëve. Partia Demokratike vlerëson punën dhe përkushtimin e shumë burrave e grave në uniformë. Koha po vjen që ata të drejtohen nga ligji e interesi publik e jo nga krimi e interesat e tij. Partia Demokratike do të shtypë krimin e trafiqet, do të vendosë dinjitetin e policisë në vendin që meriton, dhe do të garantojë sigurinë e qytetarëve e paprekshmërinë e tyre.
Sigal