Policia arreston me dhunë avokatin e njohur Altin Goxhaj në Udënisht

564
Sigal

Policia arrestoi dje avokatin Altin Goxhaj, i cili  u ndalua, pasi si avokat i Azem Brahajt në Udënisht, pengoi shembjen e ndërtesës tre-katëshe që ishte ngritur buzë vijës liqenore. FNSH-ja nxori me forcë nga ndërtesa trekatëshe në Udënisht, 20 familjarët e ngujuar të Azem Brahajt, të cilët kundërshtonin shembjen e bar-restorantit nga INUK-u për shkak të kompensimit të ulët. Goxhaj ishte zgjedhur avokat nga pronari i ndërtesës, Azem Brahaj. Policia ka arrestuar avokatin e familjes Brahja, Altin Goxhaj, për fyerje të punonjësve të INUK. Madje mësohet se ai është dhunuar nga efektivët e policisë. “Pak momente më parë ka nisur prishja e hotelit. Rreth orës 14:00 të drekës pati një përplasje mes policisë dhe banorëve, pasi këta të fundit nuk pranonin të hapnin dyert e hotelit ku ishin ngujuar. Policia ndërhyri me forcë, duke shqyer portën kryesore. Ndërkohë, kur nisi dhe aksionin për të shembur godinën ka pasur edhe një tjetër konflikt mes avokatit Altin Goxhaj që mbron interesat e familjes Brahja dhe inspektorëve të INUK.Avokati u ka kërkuar një vendim për prishjen e objektit të klientit të tij, gjë e cila nuk është paraqitur nga INUK. Pati një debat mes tyre dhe inspektorët e INUK pretenduan se Goxhaj i ka ofenduar. Policia ka bërë arrestimin e tij. Disa prej banorëve deklaruan se Goxhaj është goditur prej policisë me grushte gjatë arrestimit. Deputeti Luçiano Boçi, reagon duke shkruar në FB: “Skandali i radhës hakmarrës! Arrestohet Altin Goxhaj, avokat, sepse ka filmuar pjesë të aksionit të INUK në Hudënisht dhe ka dalë në mbrojtje të familjes së ngujuar! Cili duhet arrestuar e ndaluar? INUK që shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 25 datë 28.04.2014, i cili i ndalon plotësisht atij ndërhyrjen në objektet e legalizuara dhe te certifikuara, apo Avokati i cili mbron qytetarin nga dhunimi që i bën qeverisja?!