Policia arreston Kryebashkiakun Roshi dhe RENEA shpërndan qytetarët e Kavajës

588
Sigal

Minutë pas minute me zhvillimet e ngjarjes që tronditi opinionin publik

Dje në mbrëmje, blutë arrestuan Kryebashkiakun e Kavajës, ndërsa forcat RENEA, shpërndanë me forcë qytetarët e shumtë të mbledhur në një tubim spontan. Arrestimi i Kryetarit të Bashkisë dhe deputetit bëhet vetëm në moment flagrance apo në momentet e kryerjes, së ndonjë veprimi dhe jo katër orë me vonesë. Gjithashtu, arrestimi mund të bëhet vetëm kur nuk ka mënyrë tjetër për ta parandaluar ngjarjen. Në deklaratën e Policisë thuhet se “dyshohet” që Roshi ka qëlluar dhe nuk thuhet se: “Kryebashkiaku e qëlloi” Deden. Pra, vetë policia noton mes një konfuzioni dhe mëdyshjeje. Por atëherë, me ç’të drejtë e kanë kryer këtë arrestim uniformat blu. Ata nuk kanë të drejtë të bënin shoqërimin e Kryebashkiakut në Policinë e Tiranës, por duket se, ky arrestim është bërë me urdhrin direkt të ministrit Noka. Ata nuk kanë të drejtë të bënin shoqërimin e Kryebashkiakut në Policinë e Tiranës, por duket se, ky arrestim është bërë me urdhrin direkt të ministrit Noka. Këtë e konfirmon vetë avokati i Roshit, i cili deklaron se: “Sapo fola me zotin Roshi, i cili më njoftoi se Shefi i Policisë kishte marrë urdhër nga ministri Noka për ta arrestuar atë. Madje shefi i Policisë i kishte treguar zotit Roshi edhe mesazhet telefonike të ministrit në lidhje me urdhrin e arrestimit”. Këtu duket se problemi ka shkuar tepër thellë dhe pa profesionalizëm.

 Dëshmia e Roshit

Roshi dëshmonte në polici, në orën 19:30 ndërkohë që banorët e Kavajës protestonin para komisariatit.  Kryebashkiaku Elvis Roshi ndodhej prej 30 minutash në ambientet e komisariatit të policisë së Kavajës, ku po jepte dëshminë për ngjarjen e ndodhur me futbollistët e trajnerin e Tiranës, ndërsa jashtë ambienteve të komisariatit ishin mbledhur disa qytetarë që kërkonin lirimin e tij.  Elvis Roshi ishte paditur para disa orësh, nga trajneri i Tiranës, Nevil Dede për goditje, kërcënim me jetë dhe fyerje. Ngjarja ndodhi në pushimin e pjesës së parë të ndeshjes mes Besës e Tiranës, ku thuhet se, Roshi hyri në dhomën e zhveshjes së futbollistëve të Tiranës dhe komunikoi me ta. Po aty policia hedh dyshime se u godit dhe u kërcënua edhe trajneri Nevil Dede.

Dash Peza: Situata, e inskenuar politikisht

Në orën 20:25, deputeti socialist Dash Peza ka reaguar menjëherë pas arrestimit të Elvis Roshit. Sipas tij, kjo ngjarje është e inskenuar politikisht, ndërsa shprehet se policia e Kavajës ka shkelur të drejtat e njeriut. “Kreut të Bashkisë, Elvis Roshit nuk iu lejua avokati mbrojtës, policia ka shkelur të drejtat e njeriut, s’lejoi avokatin e Roshit të hyjë brenda në komisariat. Situata është e inskenuar politikisht, duhet të lirohet menjëherë Elvis Roshi”, tha Peza.

Reagon avokati i Roshit: Nuk jam lejuar të kontaktoj me të

Në orën 20:37, avokati i Roshit deklaroi se, urdhri për arrestimin e Kryebashkiakut është dhënë nga ministri, Flamur Nioka. Pas arrestimit të Elvis Roshit, avokati Plarent Ndreca, reagoi dhe akuzoi Policinë e Shtetit për shkelje të ligjit. “Nuk jam lejuar të kontaktoj me klientin tim, Elvis Roshin. Kjo është shkelje ligjore nga ana e Policisë së Shtetit”, -tha ai. Ndër të tjera, Ndreca i bën apel qeverisë e Avokatit të Popullit të dërgojnë një komisioner për të hetuar dhe zgjidhur çështjen. Ai u shpreh se: “Kreu i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi duhet liruar menjëherë”.

 Tagani: Është kërcënuar gjithë Klubi i Tiranës

Në orën 21:00, Klubi i Futbollit të Tiranës nëpërmjet një konference për shtyp, reagoi për incidentin e ndodhur në Kavajë. Administratori i Klubit, Salih Tagani pasi ka sqaruar ngjarjen, shprehet se, lojtarët e trajnerit janë kërcënuar nga Elvis Roshi. Sipas tij, ky është një akt i patolerueshëm. “Në shenjë revolte kërkova që të mos dalim në pjesën e dytë, por në respekt të publikut dhe Presidentit të Klubit Besa, vijoi ndeshja. Pas ndeshjes iu drejtuam organeve të rendit për të denoncuar këtë akt të papranueshëm. Nuk është cenuar vetëm një person, Nevil Dede që është pjesë e klubit, me këtë kërcënim i është bërë gjithë klubit”,- tha Tagani. “Nuk ka mundësi që një kryetar bashkie të ngrejë dorën, na ka indinjuar”,- tha ai më tej.

Ndërhyrja e RENEA-s

Në orën 21:23 4 makina të forcave RENEA kanë shpërndarë protestuesit që kërkonin lirimin e Kryebashkiakut Elvis Roshi, përpara komisariatit të policisë. Raportohet se ka pasur edhe tensione mes policisë dhe protestuesve. Një pjesë e këtyre protestuesve janë shoqëruar në komisarit. Drejt komisariatit të Kavajës është nisur edhe një grup i Avokatit të Popullit.

Elvis Roshi transportohet në Tiranë

Në orën 22:30 është transportuar në Tiranë, Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, i arrestuar dje, në Kavajë transportohet drejt Policisë së Tiranës nën masa të rrepta sigurie nga forcat RENEA. Pritet që Roshi të merret sërish në pyetje. Ndërkohë që, në Kavajë, pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit u shpërndanë dhe situata iu kthye normalitetit.

 Deklaratë e Policisë

Sot, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, u mor masa e arrestit ndaj Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, shtetasit Elvis Rroshi, 38 vjeç, banues në Kavajë, për konsumim të veprave penale “Goditjes për shkak të detyrës”, “Kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “Mos bindje ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.

Konflikti ka ndodhur gjatë zhvillimit të ndeshjes së superligës Besa -Tirana, ku shtetasi Elvi Rroshi dyshohet se  ka qëlluar trajnerin e Tiranës, shtetasin Nevil Dede, duke e kërcënuar këtë të fundit me jetën. Shtetasi Nevil Dede, ka depozituar pranë komisariatit të policisë Kavajë, një kallëzim penal në ngarkim të shtetasit Elvis Rroshi. Ndërkohë, në lidhje me këtë konflikt, i cili ka nisur gjatë përfundimit të pjesës së parë,  janë arrestuar në kushtet e flagrancës edhe 7 shtetas për konsumim  të veprave penale të “Grumbullimit të paligjshëm” “Mos bindje ndaj punonjësve të policisë” “Kundërshtim të punonjësve të policisë”, si: Abdulla Mersin Tafa, 47 vjeç, banues në Kavajë, Astrit Vesel Veliu, 40 vjeç, me detyrë shofer pranë Bashkisë, Kavajë, Osman Isuf Tabaku, 56 vjeç, Kryeplak, Gazmend Nevruz Demrozi, 38 vjeç, me detyrë Drejtor i Policisë Bashkiake, pranë Bashkisë Kavajë Shkëlqim Abdurraman Nasufi, 28 vjeç, punonjës bashkie, Erjald Sokrat Kostrica 31 vjeç, me detyrë elektricist në Bashki Kavajë, Ruzhdi Fejko Aliu, 47 vjeç, banues në Kavajë. Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme ndaj shtetasve të sipërcituar.

 Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë.