Policët e nisën 1 janarin 2016 me 100 euro “gjobë xhepi”

516
Kur Policisë së Shtetit i intereson të tregoj “ndershmërinë” e punonjësve të saj, del në media dhe publikon me bujë ato raste kur arrestohen qytetarë, të cilët tentojnë të korruptojnë policë me nga “1 mijë lekësh” për t’iu shmangur zbatimit të ligjit, ose ndëshkimit prej ligjit, sidomos ndaj policëve të shërbimit të qarkullimit rrugor. Ndërsa kur ka raste, që policët kapen “me zë e me figurë” duke kërkuar e zhvatur lekë nga qytetarët në shkëmbim të mos-zbatim të ligjit dhe tolerimit të tyre në raste shkeljesh, shpesh policia i mohon denoncimet e bëra nga qytetarët, i fsheh ose i zhduk faktet korruptive. Me skandal të tillë, ka nisur edhe dita e parë, data 1 janar e vitit 2016. Fakti është ky: Dy policë të Shërbimit të Qarkullimit Rrugor në zonën e Peqinit, janë denoncuar në Prokurori nga një dy emigrantë, të cilët pasditen e 1 janarit 2016, po udhëtonin nga Elbasani drejt Durrësit, për t’u imbarkuar në tragetet e linjës me Italinë. Ata kanë denoncuar dy policë të Qarkullimit Rrugor për zhvatjen e 100 eurove, me pretendimin shabllon të policëve: “keni shkelur rregullat, po udhëtonit me shpejtësi mbi normat e lejuara”. Sipas dy emigrantëve, në deklarim-denoncimin e tyre, thuhet: “Ne kemi 18 vite që jetojmë e punojmë në Itali bashkë me familjet tona dhe nuk na ka ndodhur prej kohësh një gjë e tillë. Dy policët rrugorë, na ndaluan në dalje të Peqinit dhe pas rreth 10 minutave debate e sqarime, të lodhur nga sorrollatja e tyre e qëllimshme e pa asnjë shkak konkret, të bindur se ishte e kot të vazhdonim debatin me dy policët, të detyruar mbasi ishim vonë me kohën për kapjen e tragetit, të qartë që dy policët po e bënin këtë gjë absurde për të marrë ndonjë bakshish, u bëmë pjesë e marifetit të tyre, duke paguar secili prej nga 50 euro në dorë të policëve, gjithsej 100 euro dhe vetëm pas pagesës së 100 eurove, u lejuam të vazhdonim rrugën e që mundëm ta kapim orën e nisjes së tragetit”. Ky është fakti i denoncuar në prokurori. Pas pagesës ilegale prej 100 euro, ose nga 50 euro secili, dy emigrantët janë lejuar të iknin nga “prita e gjobës”. Madje, sipas dy emigrantëve, pas marrjes së eurove, policët u kanë uruar atyre edhe “rruga e mbarë, qenkeni dora jonë, jeni kampiona fare”. Të gjendur ngushtë, pasi në automjetin e tyre tip “Opel” me targa italiane kishin edhe familjet, ata kanë trokitur në organin e akuzës, ku kanë denoncuar duke përshkruar në detaje gjithë skenën dhe zhvatjen e parave nga njerëzit me uniformë policie shtetërore. Emigrantët kanë mbërritur në Portin e Durrësit, qysh në datën 25.12.2015 dhe mbrëmjen e Vitit të Ri e kishin kaluar në familjet e tyre në Elbasan, por ajo që u ndodhi pas festave, u ka lënë shije të hidhur. Sapo zbresin në Port dhe sapo kalojnë pikat kufitare, emigrantët tanë çdo sezon dimëror e veror përballen me “kontrollet e uniformave blu”, me njerëzit e ligjit në çdo 5 km. E përveç këtij kontrolli si në situatë krimi me personazhe krimi, policia që ka për detyrë e detyrim t’i ndihmoj, t’i udhëzoj e drejtoj dhe t’i ndëshkoj nëse shkelin ligjet e rregullat, i shikon dhe i trajton emigrantët shqiptarë si “gjah” për t’i zhvatur kur ata qarkullojnë me automjete nëpër rrugë. Ngjarja është regjistruar si denoncim në prokurori, por nuk dihet se çfarë do të zbardhë hetimi. Emigranti A.C. nga Cërriku, më tepër se eurot e zhvatura, u shpreh se “më vjen keq, inat dhe turp për ato që ndodhin në vendin tim, ku nuk guxojmë të lëvizim lirisht në rrugët e atdheut tim, pasi kemi frikë edhe nga njerëzit me uniforma, ata që ligjin duhet ta kenë të shenjtë, por që në realitet e përdhosin”. Emigranti kishte tentuar të shkonte edhe në polici në Rrogozhinë, Kavajë apo Durrës, por duket se tentativa për të vajtur atje nuk ka qenë shumë e këndshme, pasi as nuk e kishte dëgjuar njeri, duke i thënë: “Ik, se nuk ka njeri sot, janë me pushime për festat”. Fakti është, se “gjoba” të tilla u vihen emigrantëve shqiptarë që punojnë nëpër botë, sa herë që ata vijnë në vendlindjen e tyre me pushime, apo për halle e probleme familjare. Rastet si ai që po publikojmë sot, janë të shumta, por shumica e atyre që i përjetojnë nuk flasin, por gjejnë si zgjidhje pagesat nën dorë në xhepat e policëve. Ky realitet i shëmtuar ka vite që ndodh me emigrantët tanë, sa herë ata kthehen nga jashtë drejt vendbanimeve të tyre, apo kur ata kthehen, ndaj duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund, duke mos toleruar dhe duke mos punësuar në polici dhe në strukturat e tjera të shtetit “gjobaxhinj” e njerëz me vese, që as e njohin dhe as e zbatojnë ligjin. Kjo situatë, ka ardhur dhe vazhdon të jetë si pasojë e punësimeve politike dhe klienteliste për fatin e keq me shumicë në policinë e shtetit e cila, punonjësit e të cilës janë kontakti i parë i çdo të huaji dhe emigranti me mbrojtësit e rendit, me garantuesit e sigurisë dhe zbatuesit e ligjit në shtetin shqiptar.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 05.01.2016
Sigal