Plumb në gjoks, vëllait të vogël gjatë lojës, si ndodhi tragjedia në mal

494
Zbulohen detaje nga ngjarja e rëndë, ku një fëmijë 12 vjeç mbeti i vdekur në vend pasi u qëllua me armë zjarri ka ndodhur në fshatin Petoq në Fan të Mirditës. Ngjarja bëhet akoma edhe më tragjike nga fakti se autori i shkrehjes së armës është pikërisht vëllai i tij i madh.
Dy vëllezërit, njëri 15 vjeç dhe tjetri 12, kishin shkuar për të ruajtur bagëtitë në mal. Gjatë kohës që dy të miturit po luanin me armë, E.T. 15 vjeç, nga pakujdesia ka bërë shkrehje të pavullnetshme të armës duke lënë të vdekur vëllain e tij të vogël, D.T., 12 vjeç. Mësohet se ka qenë një plumb në gjoks që i ka sjellë vdekjen e menjëhershme të riut 12­ vjeçar.
Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit për ekspertizën e plotë mjekoligjore, ndërkohë arma e zjarrit automatik, si dhe dy gëzhoja të gjetura në vendngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia ka bërë shoqërimin e babait të dy të miturve, si dhe vetë 15- vjeçarit lidhur me sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave.
“Më datë 15.11.2017, rreth orës 18:00, në fshatin Petoq në Fan, Mirditë, dyshohet se 2 vëllezër të mitur, konkretisht shtetasit E.T. 15 vjeç dhe D.T. 12 vjeç, kanë qenë duke ruajtur bagëtitë në mal. Dyshohet se, duke luajtur me një armë zjarri automatik, shtetasi E.T. nga pakujdesia ka vrarë vëllain e tij, shtetasin D.T. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit për ekspertizën e plotë mjekoligjore. Arma e zjarrit automatik, si dhe 2 gëzhoja të gjetura në vendngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, bëhet e ditur nga Policia.
Sigal