Plagosja tek “Don bosko”, sherri ndodhi për zonat e drogës

471
Disa orë pas përplasjes me armë në lokalin ku mbeti e plagosur 30¬ vjeçarja në “Don Bosko”, Policia e Tiranës ka mundur të arrestojë 3 prej autorëve të dyshuar dhe një tjetër ndiqet në gjendje të lirë.
Të arrestuarit janë pjesë e njërit grup që shkëmbeu zjarr në lokal, ndërsa personat e tjerë që iu përgjigjën me armë nuk janë identifikuar ende nga Policia. Burime nga grupi hetimor thanë se të arrestuarit kanë deklaruar se motivi i ngjarjes ka qenë një konflikt i momentit me personat që ndodheshin në tavolinën tjetër dhe sipas tyre nuk kanë njohje me ta. Megjithatë, hetimet e kryera nga ana e Policisë flasin për një konflikt për çështjen e territoreve të shpërndarjes së drogës mes dy grupeve që u përplasën me armë. Ngjarja e rëndë, që rrezikoi jetën e klientëve dhe kalimtarëve në rrugën “Don Bosko”, ndodhi rreth orës 11:30 të së premtes, në verandën e një lokali pranë pallateve “Al Mak”, zonë mjaft e populluar në kryeqytet. Nga të shtënat me armë mbeti e plagosur një 30¬vjeçare që ndodhej rastësisht në lokal dhe që nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. E plagosura është Rezarta Laknori, e cila ka qenë duke pirë kafe në lokalin ku ndodhi ngjarja, e shoqëruar nga bashkëshorti Julian Laknori dhe vajza e saj 6¬muajshe. Burime nga Policia e Tiranës thanë se gruaja ndodhej në mes të dy tavolinave ku nisi të qëllohej me armë, por fatmirësisht vetëm një plumb e goditi në gju. Veç saj, është rrezikuar seriozisht edhe jeta e shumë personave të tjerë, që nuk ishin të përfshirë në sherrin mes dy grupeve, pasi brenda pak sekondash armët janë shkrepur 12 herë.
ARRESTIMET
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, shërbimet e Seksionit për Krimet ndaj Jetës arrestuan shtetasit e dyshuar për plagosjen e 30¬ vjeçares Rezarta Laknori. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se të arrestuarit janë kushërinjtë Kreshnik e Rinald Budlla, përkatësisht 41 e 27 vjeç, dhe miku i tyre, Alfred Levani, 42 vjeç. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi me inicialet Sh.H., 38 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për veprën penale “vjedhje me armë”, të cilit gjatë kontrollit në banese iu gjet dhe iu sekuestrua një armë gjahu dhe 24 fishekë. Policia tha dje zyrtarisht se Kreshnik e Rinald Budlla, Alfred Levani dhe Sh.H., ditën e premte, në rrugën “Muzakët”, në verandën e një lokali, dyshohen se kanë shkëmbyer zjarr me dy persona ende të paidentifikuar. “Si rezultat i të shtënave ka mbetur e plagosur shtetasja R.L., që kishte qenë rastësisht në këtë lokal me bashkëshortin dhe fëmijën e saj, e cila është transportuar pranë Spitalit Universitar të Traumës, në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën”, tha Policia. Burimet thanë se vijon operacioni në terren për identifikimin dhe arrestimin e anëtarëve të grupit tjetër që qëlloi në lokal.
Sigal