Plagosja në Shkodër, dalin detaje: Autori kryetari i PS-së së zonës. Ja emrat

570
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Vukël të Malësisë së Madhe. Një person ka mbetur i plagosur ndërsa autori është vënë në pranga.
Burime nga policia thanë se, autori i kësaj plagosje me kallashnikov është kryetari i degës së Partisë Socialiste të Kelmendit, Vasel Vuçinaj. Ai ka qëlluar dhe ka plagosur me armë kallashnikov rreth orës 22:00 Mark Zef Cekajn në fshatin Vukël, Kelmend, Malësi e Madhe.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Me datë 25.02.2018 , në orët e para të mëngjesit, është marrë njoftim te Salla Operative se në fshatin Vukël, Malësi e Madhe, ka të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda , forcat policore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe si dhe një grup i FNSh Shkodër për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe kapjen e autorëve.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Vasel Vuçinaj ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të banesës së shtetasit M.Ç, 51 vjeç, banues në Vukël, i cili ka mbetur i plagosur në shpatull dhe ndodhet në spital , paraprakisht jashtë rreziku për jetën.
Pas një pune të mirëorganizuar të forcave policore të ndodhura në vendngjarje, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në kohë rekord e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje së bashku me armën e krimit, konkretisht:
Vasel Vuçinaj, 49 vjec, banues në fshatin Vukël, Malësi e Madhe
Në cilësinë e proves materiale u sekuestrua arma e zjarrit automatik si dhe në vendngjarje nga këqyrja u sekuestruan 12 gëzhoja.
Po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Sigal