Plagosja e të riut, SHÇBA: Polici shkrepi armën në mënyrë të pavullnetshme

480
Sigal

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme ka reaguar pas plagosjes së Sidion Tabakut.

Përmes një deklarate për mediat, SHÇBA bën me dije se 24-vjeçari është proceduar për mosbidje ndaj policisë dhe drejtim mjeti pa patentë. Po ashtu do të procedohet edhe efektivi i Policisë me inicialet B.B., pasi akuzohet për plagosje nga pakujdesia.

REAGIMI I SHÇBA
Në datë 1 tetor 2018, rreth orës 23:00 shtetasit S.T., duke lëvizur me një çiklomotor pa kaskë mbrojtëse, në “Rrugën e Dibrës”, iu bë shenjë nga një patrullë e Policisë për të ndaluar.

Ai nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë dhe është futur në një rrugicë përballë spitalit “Nënë Tereza”. Për disa minuta ndjekje, nuk i është përgjigjur urdhrave të Patrullës së Policisë.

Gjatë lëvizjes nëpër rrugica, i riu është rrëzuar nga motorri dhe ka vijuar lëvizjen me vrap.

Punonjësi i Policisë më afër tij, në ndjekje e sipër ka dyshuar se shtetasi S.T. ka patur në dorë një send të dyshimtë si armë zjarri.

Kështu efektivi ka nxjerrë armën e shërbimit për ta mbushur, për çdo eventualitet a rrezik, pasi ndjekja po vijonte në gjysëm errësirë në rrugica.

Në këto kushte arma e punonjësit të Policisë ka realizuar qitje të pavullnetshme.

Pas kësaj, punonjësit e Policisë kanë vijuar ndjekjen për rreth 100 metra dhe arritën ta kapin 28-vjeçarin.

Patrulla kur e konstatoi gjendjen e tij, i ka dhënë ndihmën e parë dhe e shoqëroi S.T. për ndihmë në spital me ambulancë, pasi kishte dëmtime në fytyrë, shkaktuar nga rrëzimi me motorr dhe në pjesën e pulpës së këmbës.

Në fund të veprimeve hetimore, shtetasi S.T. është proceduar në gjendje të lirë për “Mosbidje ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik” dhe “Drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt”.

Hetimi është kryer nga strukturat e SHÇBA Tiranë, të cilat kanë proceduar punonjësin e Policisë B.B., për “Plagosje nga pakujdesia”.