Peshkopi, arrestohet pedagogu 23 -vjeçar, merrte para në këmbim të notës

492
Sigal

Ministria e Arsimit të marrë masa urgjente për parandalimin e këtij fenomeni që po kthehet në strukturë epidemike

Pak ditë më parë, “Telegraf” ashtu si edhe për mjaft çështje të tjera që lidhen me korrupsionin në administratë dhe institucionet e shtetit, ka dhënë fakte dhe paralajmëronte edhe organet e drejtësisë për aferat korruptive që kanë mbërthyer Universitetin e Durrësit dhe jo vetëm atë, duke kërkuar madje edhe bashkëpunim institucional të ndërsjellët. Por duket se hamendësitë subjektive të ndonjë titullari që përfaqëson institucionet e drejtësisë, u bënë realitet, pasi strukturat e policisë kanë prangosur në flagrance një tjetër pedagog të Universitetit të Durrësit. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë në qytetin e Peshkopisë thane se: “kemi arrestuar paraditen e djeshme një pedagog në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’, në filialin e Peshkopisë, pasi nga sinjalizimet dhe përgjimet ka rezultuar se, merrte shuma të konsiderueshme parash në këmbim të notës. Pedagogu quhet Fatmir Çeka, vjeç 23, banues në rrethin e Matit, me detyrë pedagog i jashtëm në Universitetin e Durrësit”. Sipas policisë, arrestimi tij u bë për veprat penale ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ”Mashtrim”. Nga hetimet e kryera nga strukturat e Sektorit për Krimin Ekonomik dhe Financiar, ka rezultuar që ky shtetas, duke qenë në detyrën pedagogut të jashtëm në universitetin ”Aleksandër Moisiu”, filiali Peshkopi, u merrte studentëve të këtij universiteti shuma të konsiderueshme parash, të cilat varionin deri në 15.000 lekë, në këmbim të notës kaluese . Nga hetimet e deritanishme, janë arritur të identifikohen dhe dokumentohen nëntë raste ku ky pedagog u kishte marrë studentëve të këtij universiteti shumën prej 15.000 lekë të reja duke iu premtuar një notë kaluese. “Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për veprime të mëtejshme, ndërkohë po punohet për identifikimin dhe dokumentimin edhe të rasteve të tjera korruptive, në të cilat dyshohet se, ky pedagog ishte implikuar”,- thanë burimet policore. Arrestimi i pedagogut të Universitetit të Durrësit, ka ardhur vetëm pak ditë nga alarmi që dha “Telegraf” për këtë epidemi, e cila ka kapluar këtë institucion të arsimit të lartë në vetëm pak vite të ekzistencës së tij. Vetëm 2 muaj më parë u arrestuan dy pedagogë nga ky universitet, nën akuzën e korrupsionit dhe disa të tjerë janë denoncuar nga studentët dhe familjarët e tyre për dhënien e shumave me para në këmbim të notës kaluese. Korrupsioni mbetet fenomeni më negativ që ka gjetur terren të rehatshëm në pothuajse të gjitha universitetet tona. Në volumin e madh të denoncimeve dhe dosjeve hetimore, në organin e akuzës një numër jo të vogël zënë edhe ato të Universitetit të Durrësit. Padyshim kjo lidhet me mjaft shkaqe të ndryshme, ku një prej tyre mbetet edhe zbatimi i kriterit të marrjes së pedagogut në punë, ku natyrisht niveli dhe ngritja profesionale është dhe duhet të jetë parësore. Fatkeqësisht ky fenomen kaq negativ dhe i turpshëm po klasifikon universitetet tona publike në opinionin vendas dhe të huaj në “dyqane që shesin diploma” dhe jo institucione të arsimit të lartë që përgatisin kuadro me nivel akademik të aftë për kërkime shkencore. Ministria e Arsimit urgjentisht duhet të ndalet në parandalimin e këtij fenomeni që po kthehet në strukturë epidemike, dhe që po njollos edhe ata që kanë merita dhe që janë të papërlyer në afera të tilla. Reformimi arsimit të lartë mbetet i vonuar, çdo ditë që kalon, e rëndon më shumë koston, e cila natyrisht bie mbi xhepat e studentëve dhe diskrediton figurën dhe emrin e nderuar të pedagogut.