Pesë apartamentet ‘garanci’ për borxhin që nuk ekzistonin, ja pse u arrestua ndërtuesi në Tiranë

507
Një biznesmen është arrestuar nga Policia e Tiranës nën akuzën e mashtrimit. Burime zyrtare nga policia, bënë të ditur se në pranga – është vënë 69-vjeçari, Xhelal Hoxha, banues në Tiranë. ndërtuesi mësohet se është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 11 vite e 8 muaj burg për mashtrim.

Sipas informacioneve të Policisë së Tiranës, Hoxha u dënua, pasi mashtroi shokun e tij, duke i marrë 50 mijë euro me premtimin se do ia kthente, por në fund e mashtroi, njofton Shekulli. Pas dërgimit të çështjes në Gjykatë, ndërtuesi Xhelal Hoxha është dënuar me 11 vite e 8 muaj burgim. Në vitin 2006 Hoxha, mësohet se i ka marrë 50 mijë euro shtetasit me inicialet Sh. M. Ai ka deklaruar para organeve gjyqësore se për shkak të njohjes që ka pasur me Hoxhën dhe besimit se ai ishte një biznesmen i rregullt i ka dhënë atij në formën e borxhit një shumë prej 50 mijë eurosh.

Dënimi
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e dënimit për Xhelal Hoxhën, i cili u shpall fajtor për akuzën e “mashtrimit”. Sipas vendimit të Gjykatës, i pandehuri Hoxha është kallëzuar nga Sh. M. në vitin 2014. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ai ka pohuar se në vitin 2006, për shkak të njohjes që ka pasur me Hoxhën dhe besimit ai i ka dhënë shumën prej 50 mijë euro. Për ta siguruar se do t’ia kthente këtë shumë, i pandehuri i ka lënë si garanci pesë apartamente në një pallat që, sipas tij, po e ndërtonte në Golem. Për këtë fakt, ata kanë nënshkruar edhe një kontratë para një notereje. Të nesërmen, kallëzuesi ka shkuar të verifikojë këtë pronë, por nga punonjësit e hipotekës është njoftuar se Xhelal Hoxha nuk kishte asnjë objekt në të dhënat e regjistruara në kontratën noteriale.

Gjatë një takimi sqarues, Hoxha i ka premtuar kallëzuesit Sh. M., një apartament në një pallat në ndërtim në Durrës. Në vijim, pas dy shimeve se ishte mashtruar, Sh. M., ka kërkuar kthimin e parave, veprim që nuk është kryer nga ndërtuesi. Pavarësisht kërkesave të të dëmtuarit, që i pandehuri të kthente shumën e parave, i pandehuri që nga viti 2008 e në vazhdim nuk ka pranuar që t’ia kthejë shumën prej 50 mijë eurosh te dëmtuarit Sh. M.

Sipas dëshmisë së kallëzuesit në gjykim, pas kallëzimit i pandehuri i ka dhënë dy apartamente në Durrës dhe e konsideron si të shlyer borxhin. Por, ky fakt nuk është pranuar nga personi që është mashtruar. Ky i fundit është paraqitur në Polici dhe ka bërë denoncimin ndaj personit që i kishte dhënë një shumë të konsiderueshme parash.

Policia
“Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale të “Mashtrimit”. Më datë 04.09.2017 seksioni i kërkimit pranë Sektorit të Forcës së Posaçme dhe Operacioneve speciale në D.V.P. Tiranë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit: Xhelal Hoxha, 69 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi është bërë i mundur pasi ky shtetas ka qenë i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Tiranë me 11 vite e 8 muaj burg për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës për arrestimin e biznesmenit.
Sigal