Përmasa të frikshme të dhunës në familje

450
Sigal

Fier, masakrohet me thikë 50-vjeçarja, nënë e divorcuar me dy fëmijë

Dhuna ndaj grave në Shqipëri duket se nuk ka të sosur, duke marrë përmasa të frikshme. Pas vrasjes makabre të tri ditëve më parë në Orikum të Vlorës, brenda 24 orëve dhunohen dhe masakrohen dy gra, në Korçë dhe Fier. Një 28-vjeçare në muajin e gjashtë të shtatzënisë është rrahur dhe goditur barbarisht nga bashkëshorti i saj me mjete të forta në kokë mesditën e djeshme në Korçë, ndërkohë që një 50-vjeçare është masakruar me thikë, teksa hynte në hyrjen e pallatit.

Fier, vritet nëna e dy fëmijëve në hyrje të pallatit
Një 50-vjeçare nënë e dy fëmijëve ka humbur jetën rrugës për në spital, pasi është masakruar me thikë nga persona të paidentifikuar, teksa hynte në hyrjen e pallatit. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen ‘Kryengritja’ të qytetit të Fierit, ndërkohë mësohet se, viktima Asinja Krytha është qëlluar në befasi nga persona të paidentifikuar në hyrje të pallatit të saj dhe më pas është therur me thikë. Burime policore bëjnë me dije se 50-vjeçarja është nisur menjëherë drejt spitalit rajonal, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e identitetit të autorëve dhe kapjen e tyre. Mësohet se 50-vjeçarja ishte e divorcuar para disa vitesh dhe kishte ardhur nga Shkodra në qytetin e Fierit, ku jetonte me dy fëmijët e saj. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Fierit mbrëmjen e djeshme, ndërkohë policia ka ngritur postblloqe të shumta në hyrjet dhe daljet e qytetit.
Korçë, 28-vjeçarja shtatzënë dhunohet barbarisht nga bashkëshorti, ishte xheloz
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Korçës. Një 28-vjeçare në muajin e gjashtë të shtatzënisë është rrahur dhe goditur barbarisht nga bashkëshorti i saj me mjete të forta në kokë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 8 të qytetit juglindor, në banesën ku jetonte çifti, ndërsa paraprakisht dyshohet se gruaja është goditur me sende të forta në kokë, për shkak të xhelozisë. 28-vjeçarja Rudina Iljazi është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal ku po i nënshtrohet një operacioni në kokë. Sipas informacionit që vjen nga bluzat e bardha të këtij spitali, gjendja e fëmijës është e mirë dhe për të fatmirësisht nuk ka asnjë rrezik. Ndërkaq, bëhet me dije se policia e Korçës ka arrestuar burrin agresor. Hetimet për ngjarjen vazhdojnë. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër grua u godit dhe u masakrua për vdekje nga bashkëshorti i saj në Orikum, ndërsa ishte shtatzënë