Përjashtohet polici, ofendoi shoferin: Të këpus në mes, jabanxhi

431
Një efektiv i Policisë Rrugore është përjashtuar nga Policia e Shtetit pasi ka fyer një drejtues makine të cilin e kishte ndaluar me pretendimin se kishte bërë shkelje. Video amatore është filmuar nga një person tjetër që ishte në automjet me shoferin i cili gjatë debatit me policin i thotë se është inxhinier ndërtimi dhe se ishte korrekt gjatë qarkullimit me makinë. Por nga ky moment efektivi i është kthyer me fyerje duke i thënë “jabanxhi, të këpus në mes të vish vërdallë”.
Ja debati i plotë mes shoferit dhe policit
Shoferi: Po ironizoni shumë me mua mund ta verifikoni unë jua kam dhënë cfarë ju deshët. Kam kaluar me jeshile tani e po më thoni që ti nuk di patentat e keni marrë me lekë.
Polici: Je në punë?
Shoferi: Jam në punë, jam inxhinier ndërtimi
Polici: Ndërtimi?
Shoferi: Dhe nuk jam ndaluar asnjëherë në mënyrë të tillë, kam qenë korrekt
Polic: Po ça korrekt, ik se je jabanxhi, ik se të këputa në mes, do të bëj të vish vërdallë, të këputa në mes.

Edhe ministri Saimir Tahiri ka reaguar në lidhje me këtë video, ku shpreh falënderim ndaj qytetarit që ka denoncuar shkeljen nga ana e efektivit.
“Policia që duam, jo më të tillë punonjës policie. Sjellje e patolerueshme dhe e dënueshme. U informova se ndaj punonjësit të policisë u mor masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit. Faleminderit qytetarit për denoncimin dhe portalit për publikimin”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në rrjetin social Facebook.
Sigal