Përgjaken rrugët, policia numëron viktimat

2310
Sigal

Kronika e zezë/ Bilanc i frikshëm aksidentesh rrugore dhe krimesh, shteti jep vetëm statistika

Edhe dje nëpër rrugët e Shqipërisë pati një bilanc tragjik dhe të frikshëm të aksidenteve rrugore. Kronika e zezë e aksidenteve dhe e krimit në Shqipëri është mjaft e pasur për shkak të pasigurisë së përgjithshme që ekziston në vend. Të paktën tre të vdekur dhe disa të plagusur është një bilanc i përafërt që mund të jepet vetëm për ditën e djeshme. E përdjeshmja kishte të njëjtën pamje, dy apo tri ditë më parë po ashtu. Por ky bilanc është gjithnjë i pasaktë, pasi aksidentet ndodhin në çdo orë të ditës dhe të natës dhe policia është tepër e kujdesshme në dhënien e statistikave. Në njoftimet që jepen nga policia bëhet shumë kujdes për të evidentuar punën “shembullore” të policisë, kur në të vërtetë kemi një tablo të kundërt dhe në disfavor të policisë për parandalimin e tragjedive dhe krimeve. Ky avaz përsëritet ditë pas dite, javë pas jave e muaj pas muaji. Sidomos në stinën e verës. Trafiku i rënduar së tepërmi dhe mungesa e sinjalistikës rrugore është shkaku kryesor i aksidenteve. Në këtë aspekt, sikurse është thënë shumë herë, Shqipëria është vendi me rrezikshmërinë më të lartë rrugore, ndaj dhe bilancet e aksidenteve në vend që të vijnë në ulje, vetëm shtohen e shpeshtohen. Të bën përshtypje fakti se shteti, pra Policia e Shtetit dhe ajo Rrugore që janë përgjegjëse për sigurinë e jetës së qytetarëve, japin vetëm konstatime, sa u vranë apo u plagosën, ndërsa masat parandaluese të aksidenteve dhe të tragjedive mungojnë maksimalisht. Pavarësisht kritikave shumë të rrepta që bëhen, asgjë nuk ndryshon. Ajo që të trishton edhe më tepër, është mungesa e perspektivës në këtë aspekt.