Përgjaken rrugë, 2 viktima dhe një i plagosur në aksidentin në Shkodër

533
Sigal

Viktimat nga aksidentet automobilistike si bilanc lufte frontale. Rrugorët merren me planin e gjobave, jo me sigurinë në rrugë

Çdo ditë e më shumë po shtohet numri i viktimave në vendin tonë. Çdo ditë po vërejmë të përgjaken rrugët kryesisht nga aksidentet automobilistike, ndërkohë, policia rrugore, e ‘zënë; me planin e gjobave dhe me kontrollet e jelekëve, mjaftohet me numërimin e viktimave dhe një komunikatë të thatë ‘u kap’ ose ‘po punohet për kapjen e autorit, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes’. Kështu, numri i viktimave sa vjen dhe shtohet, në një kohë kur qytetarët presin fakte reale dhe jo fjalë që kjo situatë të ndryshojë dhe polici të marrë në dorë kontrollin e situatës dhe qetësinë publike. Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur rreth orës 08.15 minuta i të dielës, në aksion rrugor Shkodër–Koman, në vendin e quajtur Karmë, i mori jetën 3 personave. Elidon Drumi 23 vjeç dhe Agim Kasemi 32 vjeç, gjetën vdekjen e menjëhershme në vendin e aksidentit, ndërsa në orët e mbrëmjes humbi jetën në spital dhe njëri prej të plagosurve. Artan Bajrami humbi jetën në Spitalin e Traumës ku mbërriti me helikopter mesditë e sotme. I plagosuri tjetër është Edmond Kola. 4 shtetasit të cilët po udhëtonin me mjetin tip “fuoristradë” me targë TR 8145 P, ishin punëtorë të firmës “Beralb” që ka me koncension minierën e bakrit në Koman. Ata po ktheheshin nga vendi i tyre i punës drejt qytetit të Shkodrës, kur në kthesën e fshatit Karmë, mjeti i tyre ka humbur kontrollin duke përfunduar rreth 100 metra në greminë. Kanë qenë banorët e zonës dhe kalimtarë të rastit që kanë lajmëruar policinë dhe kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë të aksidentuarve, ndërsa ambulanca për shkak të largësisë dhe rrugës tejet të amortizuar ka mbërritur me vonesë.

TË PLAGOSURIT

Pas ardhjes së tyre është bërë dërgimi në spitalin rajonal të Shkodrës të 2 të aksidentuarëve, ndërsa më pas ka mbërritur nga Tirana edhe helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë. Ky i fundit pasi konstatoi se nuk ka asnjë të lënduar në vendin e ngjarjes është nisur drejt Shkodrës, ku nga fusha e lëkurave ka marrë të aksidentuarin Artan Bajrami, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës.

HETIMET

Në vendngjarje grupi hetimor ka nisur hetimet për shkaqet e këtij aksidenti, ku paraprakisht dyshohet se, drejtuesi mjetit ka humbur kontrollin dhe e ka pasur të pamundur shmangien e daljes nga rruga, e cila për fat të keq është tejet e amortizuar dhe pa asnjë mur mbrojtës. Që nga koha e regjimit komunist në këtë segment rrugor nuk është bërë asnjë investim edhe pse ky aks ka shënuar viktima edhe më herët, e në të njëjtën kohë është i një rëndësie të veçantë, pasi çdo ditë në të udhëtojnë edhe punonjësit e HEC Koman.