Përcillet për në banesën e fundit Artan Santos, personalitetet përulen para tij

552
Sigal

Meta: Duhet ndalur dora mizore!Basha: Akt terrori! Ngjela: Këtu krimet harrohen!

Shumë personalitete të larta i dhanë dje lamtumirën Artan Santos. Biznesmeni i njohur bashkëpronar i bankës “Credins” dhe medias “Focus Group” dhe Tv Scan u ekzekutua nga vrasës me pagesë dy ditë më parë në mes të zonës së quajtur ish-Blloku. Dje, zyrtarët e lartë heshtën, para arkivolit  të vendosur në hollin e hotel “Sheraton”. Ngushëlluan familjarët; por kërkuan dhe arrestimin e ekzekutorëve që qëlluan mbi Tanin, por dhe të atyre që paguan lekët për të kryer këtë krim mafioz në mes të ditës. Kryetari i Parlamentit Ilir Meta u shpreh se, duhet ndalur dora mizore për t’i dhënë sigurinë dhe qetësinë e merituar të gjithë shoqërisë tonë. Për Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha ishte një mizoritet mafioz në zemër të  Tiranës, i hartuar dhe ekzekutuar me parametrat e një akti terrori, për të ngjallur terror dhe frikë. Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli e quajti vrasjen më të rëndë pas asaj të Azem Hajdarit. Ndërsa Kryeministri heshti para gazetarëve që prisnin tek dera për deklaratat e zakonshme që personalitetet bëjnë këto ditë. Ngushëllimet i përcolli vetëm në librin e kujtimeve. As ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk dëshiroi të fliste edhe pse kjo ngjarje është quajtur si një akti i mirëfilltë terrorist. Ndërsa kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika u shpreh se, nuk kishte informacione.  Spartak Ngjela ishte skeptik:  Në Shqipëri krimet nuk zbulohen, si rregull harrohen. Homazhet zgjaten deri në orën 16:00 dhe kjo ishte lamtumira e fundit e dhënë nga të gjithë. Më pas, ashtu siç e kishte lënë amanet të mos dilte i vdekur nga shtëpia, kortezhi iu drejtua rrugës së ish-bllokut, tek godina Banka Credins. Kortezhi ndaloi për disa minuta aty ku humbi jetën, ndërsa personeli i bankës hodhi lule mbi makinë. Më pas  ai u përcoll drejt varrezave të Sharrës, banesa e fundit për Artan Santon.

Ja çfarë thanë personalitetet  pas homazheve për nder të Santos, që kryen dje në hotel “Sheraton”

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta: Santo ndihmoi në modernizimin e sistemit bankar. Është ditë trishtimi. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta, por nuk mund të mos resht së kërkuari vënien para drejtësisë të atyre që ekzekutuan. Është një dorë mizore që duhet ndalur për t’i dhënë sigurinë dhe qetësinë e merituar të gjithë shoqërisë tonë.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha: Sot japim lamtumirën Artan Santos, një miku, një qytetari, një punëtori të palodhur dhe të mençur të sipërmarrjes së lirë të Tiranës dhe Shqipërisë. Një dritë shprese për shumë që tek ai e gjenin atë pasi nuk e gjenin gjetkë. Të një miku të madh të artit dhe artistëve, të një babai, të një bashkëshorti, një biri. Ngushëllimet e mia më të ndjera, për familjen e Tan Santos, uroj që zoti tua lehtësoj dhimbjen e padurueshme dhe t’i lërë me kujtimet e mira të të shtrenjtit të tyre. Ishte një krim makabër, një mizoritet mafioz në zemër të bashkëjetesës tonë në Tiranë, i hartuar dhe ekzekutuar me parametrat e një akti terrori, për të ngjallur terror dhe frikë.

Si i tillë do të shërbejë si një thirrje e madhe qytetare, si një ngritje në këmbë për t’i dal përpara dhe për ta ndalur të keqen me çdo kusht.

Ish-Kryeministri dhe ish-lideri i PS-së, Fatos Nano: Artan Santo është një personalitet i pazëvendësueshëm, humbja e tij na lë me një boshllëk. Miku dhe njeriu i jashtëzakonshëm Artan Santo mbetet një kampion i shfrytëzimit të lirisë në dobi të të tjerëve. Santo diti t’i shërbejë të gjithëve dhe të lartësojë veten e tij në kushtet humanizmit

Anastas Angjeli: Autorët të gjenden e të ndëshkohen.

Spartak Ngjela: Kanë dashur të marrin diçka o kanë dashur të fshehin diçka. Në Shqipëri krimet nuk zbulohen si rregull harrohen

Ish kryetarja e Parlamentit

Jozefina Topalli:  Jemi të tronditur e të shokuar. Është gjëja më e rëndë pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Guvernatori i bankës Ardian Fullani: Do na mungojë buzagazi Tan. Është humbja e një djali që krijoi vetë institucionin, ndërtoi grupin e punës dhe e çoi përpara.

 

Vrasësit me pagesë dyshohet se janë nga veriu

 Një ditë pas vrasjes së Artan Santos, hetimet për gjetjen e autorëve, duket se kanë mbetur në vend, pasi nuk janë zbardhur detaje të vlefshme gjatë kësaj kohe. Nga policia e Tiranës  përveç njoftimit ditën e ngjarjes, ku thuhej se bankieri i njohur ishte vrarë me armë zjarri, nuk ka patur reagime të tjera se në çfarë faze ndodhen hetimet. E njëjta situatë është dhe në Prokurorinë e kryeqytetit, ku grupi hetimor i përbërë nga 3 prokurorë si dhe drejtues të prokurorisë, nuk pranojnë të japin komente për hetimet. Disa detaje janë mundur të zbardhen nga hetimi ku është shoqëruar një numër rekord personash nga policia e Tiranës, Fushë-Krujës dhe Lezhës. Burime policore bëjnë me dije se janë shoqëruar si individë që kanë dijeni për ngjarje mbi 80 persona. Të njëjtat burime saktësojnë se nga gjithë këta persona nuk ka asnjë të arrestuar dhe dyshuar për vrasjen e bankierit. Nga policia e shtetit saktësohet se ka dyshime të forta se vrasësit me pagesë të jenë nga Veriu i Shqipërisë, por pa e specifikuar zonën saktësisht.