Pas tre ditësh në shtetrrethim dhe përplasjeve me armë, dorëzohet Lazarati

571
Sigal

 Gjirokastër/Drejtuesi i të cilësuarit “grup kriminal” e disa të tjerë në duar të policisë. Shkatërrohen laboratorë e sasi të konsiderueshme droge, kapen sasi të mëdha armësh e municionesh

Pas tri ditësh përplasje të ashpra me armë, në kushtet e një shtetrrethimi me mbi 800 forca policore, Lazarati, i njohur si “Kryeqyteti i drogës”, dorëzohet. Në orët e vona të ditës së djeshme, forcat e policisë pothuaj lëviznin në gjithë fshatin. Një pjesë e të shpallurve në kërkim, mes tyre dhe i akuzuari si kreu i grupit kriminal, janë në duart e policisë. Por shumica, janë ende në kërkim. Në terren ishin të angazhuara mbi 800 forca policore, të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, Delta Forcë në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj.. Janë shkatërruar laboratorë droge, janë djegur e shkatërruar sasi të konsiderueshme kanabisi me vlerë miliona dollar, si dhe janë sekuestruara sasi të mëdha armësh e municionesh luftarake. Por përsëri fshati është në shtetrrethim… Ja kronologjia e përplasjes së djeshme:

Ora 02:00-Ka pasur të shtëna të njëpasnjëshme në fshatin e rrethuar nga policia. Nga ana e kësaj të fundit vazhdojnë masat e gatishmërisë së plotë.

Ora 06:30-Rifillon operacioni në Lazarat me një plan strategjik të ri për të hyrë në Lazarat edhe nga një tjetër rrugë. Tashmë janë mbi 15 autoblinda kanë përparuar në fshat.

Ora 02:00- Ka pasur të shtëna pa ndërprerje brenda Lazaratit. Policia ka nën kontroll krahun jugor dhe juglindor të fshatit, zonën në kufi me Derviçani, ku dhe ka ushtruar kontroll në banesat e 6 të arrestuarve.

Ora 11:40- Mbrëmjen e djeshme u vetëdorëzua në polici i shumëkërkuari Gate Mahmutaj. 46-vjeçari nga Lazarati, i akuzuar si kreu i bandës së trafikantëve që prej disa ditësh ka nisur sulmin me armë ndaj policisë, ka mohuar akuzat duke deklaruar se, nuk ka lidhje me sulmin. Por burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, deklaratat e Gate Mahmutaj janë kontradiktore… Gate Mahmutaj është dënuar me 22 vite burg në vitin 2001 për plagosjen e një efektivi policie, por u la i lirë në vitin 2006 me anë të një vendimi faljeje të Presidentit të asaj kohe, Alfred Moisiu.

Ora 12:25- Nga të dhënat më të fundit të policisë, bëhet me dije se kanë mundësuar asgjësimin e rreth 70 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 11 ton e 300 kg kanabis- sativa. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni. Në terren janë të angazhuara rreth 800 forca policore.
Ora 13:00- Në oborrin e banesës afër asaj të Gate Mahmutaj janë gjetur fidanë kanabisi të mbjella, që arrinin 10 deri në 12 cm. Ka të shtëna me armë.
Ora 13:05– Ministria e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen drejtuar banorëve të Lazaratit, që të distancohen nga elementët kriminalë.
“Policia e Shtetit është e vendosur të godasë pa asnjë hezitim dhe pa paralajmërim këdo që do tentojë të dalë mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës, duke ju kundërvënë me armë uniformave blu”,- thuhet në deklaratë.

Ora 13:34- Kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka shkuar në mesditë pranë postbllokut në hyrje të Lazaratit. Ka takuar, gjithashtu, edhe me familjarët e listës së të kërkuarve nga policia.

Ora 13:40– Policia e Shtetit ka vënë në pranga shtetasin Hysen Çela, i akuzuar për sulm me snajper ndaj efektivëve në Lazarat. Ai e ka mohuar qenien në Lazarat dhe akuzat ndaj tij.

Ora 13:55 – Policia e Shtetit publikon listën e personave të kërkuar në Lazarat, që dyshohet se kanë sulmuar me armë policinë. Personat e kërkuar janë: Nihat Brahimi, Gurim Skënderi, Shamet Aliko, Dervish Gjyli, Liko Brahimi, Kudret Hiraj, Adil Kasma, Bako Buzheri, Bledar Buzheri, Asqeri Buzheri, Jetnor Kalemi, Ismet Gjolleshi, Gerti Gjolleshi, Lorenc Meci, Englejd Aliko, Jetmir Gjini, Zagoll Aliko, Valter Gjini.
Ora 14:04 Në mesditë, është sekuestruar një sasi e madhe droge në një nga banesat e Gate Mahmutaj në Lazarat. Në banesën e tij janë sekuestruar edhe fishekë, thika e granata.
Ora 14:10- Në orët e mesditës, një automjet i policisë i parkuar para Komisariatit në Gjirokastër, është qëlluar me gurë.  S’ka pasur të lënduar.  Tre të rinjtë nga Lazarati, E.B 17 vjeç, K.B 17 vjeç, B.B 17 vjeç, janë shoqëruar në komisariat.
Ora 14:39- Familjarët e Fatjon Mukollarit nga Pogradeci, plagosur një ditë më parë në Lazarat flasin nga Pogradeci për ngjarjen. Sipas tyre, 33-vjeçari punonte si bari në Lazarat, ndërsa familja pretendon se është e varfër.
Ora 15:20- Konfirmohet se janë sekuestruar 1.5 ton hashash, gjatë kontrollit të ushtruar në 7 banesa. Vetëdorëzohet Adil Kasma, emri të cilit është në listën e grupit të armatosur terrorist.
Ora15.29:- Gate Mahmutaj ka mbërritur, nën masa të forta sigurie në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku do të dëshmojë mbi akuzat që rëndojnë mbi të. Sëbashku me dy persona të tjetër, ai është futur në ambientet e policisë. Mahmutaj, u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme në polici.
Ora 15:30- Policia djeg publikisht 1.5 ton drogë.
Ora 17:03- Pothuaj pjesa më e madhe e Lazaratit është nën kontrollin e forcave të policisë. Kontrollet në hyrje e dalje të fshatit janë shumë të rrepta.

Ora 17:54- Vëllai i Gate Mahmutaj, në një prononcim për mediat ka theksuar se, akuzat janë një lojë politike. “Vëllai im po viktimizohet. Kjo është një lojë politike, ai nuk është bos”,-ka rrëfyer për mediat vëllai i Mahmutaj.

 Berisha për operacionin në Lazarat: Terror dhe plaçkitje!

“Plaçkitje!”- është për Sali Berishën pjesa e padukshme e operacionit të policisë të zhvilluar këto dit në Lazarat. Deklarata e ish-kryeministrit ka ardhur pas denoncimeve në medie të banorëve të Lazaratit se “me pretekstin e hapjes së personave në kërkim e gjetje droge, policë të maskuar, janë futur nëpër shtëpi dhe kanë plaçkitur sende me vlerë, para e gjëra të tjera”. Ai, njëkohësisht kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë që të zbardhë këto akte terrori e plaçkitje, e të vendosë para përgjegjësisë ligjore urdhëruesit dhe zbatuesit. “Të dashur miq, pasi gjatë bastisjes në familjen Koli në Lazarat kanë përmbysur çdo gjë orendi, mobilie, elektro-shtëpiake dhe kanë terrorizuar familjaret, çunat e Ramës kanë plaçkitur çfarë kanë mundur dhe kanë veshur plaçkën! Ky është operacioni ‘plaçka’. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë hetimet rreth këtyre akteve të turpshme!!”