Pas pesë ditësh të operacionit policor, Lazarati ‘dorëzohet’

486
Sigal

 Dje në operacion në mbështetje të policisë shqiptare dhe homologët italianë. Zbulohen laboratorë droge dhe asgjësohen rreth 13 ton hashash

Së fundi, në ditën e pestë të operacionit, rreth 900 forca të policisë shqiptare, kanë mundur të futen në qendër të Lazaratit dhe pothuaj kanë marrë nën kontroll gjithë territorin. Në mbështetje të tyre, gjatë ditës së djeshme, kanë qenë dhe helikopterë nga ajri dhe forca të policisë italiane. Në drejtim të operacionit, ishte Artan Didi, kreu i Policisë së Shtetit. Ndërkohë, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle të shumta, duke bllokuar e asgjësuar drogë e duke sekuestruar armë e municione luftarake. Mësohet se gjatë operacionit  është mundësuar asgjësimi i rreth 80 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasi mbi 12 ton e 800 kg kanabis -sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim.  Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë.

Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 80 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin, ku forcat e policisë kanë depërtuar në zone. Pas disa arrestimeve, është publikuar dhe lista e personave të shpallur në kërkim.
Ora 09:30- Vijon operacioni në fshatin Lazarat, të Gjirokastrës. Konfirmohet se 20 makina policia kanë hyrë më në thellësi të fshatit, duke shtuar kështu sipërfaqen e kontrolluar nga efektivët.

Ora 10:00- Situata në Lazarat mbetet problematike dhe banorët po përjetojnë panik. Këtë e pohon kreu i Komunës Lazarat, Dasho Aliko.

“…Shumë shtëpi janë braktisur nga banorët, ku një pjesë janë larguar vetë, disave u është kërkuar nga efektivët e policisë, duke u nxjerr me dhunë. Kam informacione, se brenda personave që kanë probleme me ligjin, ka dhe njerëz të tjetër të infiltruar nga persona të tjerë, faktorë të huaj, apo vendas. Ka të infiltruar nga agjenturat e huaja të cilët mund të qëllojnë policinë dhe situata mund të dalë jashtë kontrollit”,-pohoi ai

Ora 11:57- Bëhet me dije se janë shtuar forcat policore në aksionin. Bëhet me dije se 2 helikopterë transportuan forcat policore, mes të cilëve dhe efektive femra, të cilët zbritën në perëndim të Lazaratit nga Mali i Sopotit. Policia u ka bërë thirrje banorëve të mbështesin operacionin, e të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Ora 12:00- Në ‘kor’, familjarët e Gate Mahmutajt kanë shfajësuar të afërmin e tyre, duke këmbëngulur se nuk ka lidhje me sulmin ndaj policisë dhe nuk është marrë me kultivimin e hashashit…

Ora 14:20- Policia gjen drogë në një nga magazinat, që mësohet se është në pronësi të Gate Mahmutaj. Bëhet me dije se një pjesë e drogës ishte e presuar. Ndërkohë, policia përveç drogës, ka sekuestruar një pushke dhe një Kallashnikov. Gjatë kontrollit në magazinë u bllokuan dhe fishekë të llojeve të ndryshme.
Ora 15:10- Forcat e Policisë së Shtetit po vijojnë me depërtimin hap pas hapi për në brendësi të fshatit Lazarat, duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës. Gjatë veprimeve në terren forcat policore janë të pajisura me mjete të posaçme për veprime kundër grupeve dhe bandave të armatosura dhe armatim i rëndë për t’iu përgjigjur reagimit me armë të grupit kriminal. Për transportin e forcave dhe të pajisjeve policore janë përdorur dhe helikopterët. Gjatë paradites së sotme është ushtruar kontroll në territoret e një numri të konsiderueshëm banesash dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin, ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë. Në kuadër të këtyre kontrolleve janë gjetur e asgjësuar mbi 287 kg marijuanë, si dhe sasi armatimi e municioni.
Ora 15:40- FNSH sapo ka nisur operacionin për të depërtuar në brendësi të Lazaratit. Mësohet se ata janë transportuar me helikopterë dhe ndodhen rreth 200 metra larg xhamisë së Lazaratit. Policia po kontrollon tokat dhe banesat, ndërsa në fshat mbizotëron zjarri dhe tymi i hashashit. Helikopterët janë përdorur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë vetëm për transportim. Banorët po djegin hashashin e mbetur në fshat, ndërsa për momentin nuk raportohet për të shtëna. Forcat e policisë, duket se ia kanë bllokuar të gjitha daljet lazaratësve rebelë. Kështu është bllokuar dalja nga Mali i Sopotit. Operacioni i policisë po drejtohet nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi.

Ora 16:00- Forcat speciale të transportuara me helikopter kanë arritur në vendin ku qëllohej me mitraloz të rëndë, duke marrë kështu një nga bazat e “rebelëve” që prej 5 ditësh sulmojnë policinë, për ta ndaluar të përparojë drejt fshatit. Policia ka zbritur në këmbë nga mali i Sopotit. Policia bën me dije se në shtëpinë e R. Gevenit u gjetën 150 kg dhe 200 rrënjë kanabis, ndërsa në shtëpinë e E. Mahmutaj u gjetën 18 thasë dhe të mbjella me kanabis.

Ora 16:25- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka komentuar operacionin e sotëm të FNSH-ve në fb: “Vazhdon progresi. Policia tani gjendet në shtëpinë prej nga gjuante mitralozi i rëndë. Bravo cuna bravo! Është marrë nën kontroll objekti ku ishte vendosur mitralozi i rëndë që qëllonte me armë drejt policisë”.

Ora 17:34- Polica e Shtetit ka falënderuar ata banorë në Lazarat që e kanë mbështetur operacionin e policisë. “Policia e Shtetit falënderon banorët e Lazaratit për mbështetjen që po i japin policisë gjatë këtij operacioni. Vijon përparimi i strukturave të policisë në brendësi të fshatit Lazarat”, – thuhet në njoftimin më të fundit nga Policia e Shtetit.
Ora 17:40- FNSH kanë hyrë në qendër të Lazaratit, nga pjesa e poshtme, ndërsa forcat RENEA kanë hyrë nga zona e sipërme e Malit duke vendosur kështu kontrollin në “fshatin rebel”. Janë ngjitur në qendër të fshatit 8 autoblinda të policisë, të cilat kanë nisur kontrollin shtëpi më shtëpi. Janë gjetur shumë banesa të braktisura, të tjera me njerëz, por që janë treguar bashkëpunues me policinë, kanë hapur derën për kontroll. Kishte edhe nga ata që pranuar se kishin kultivuar hashash, por që tashmë nuk do ta bëjnë më.
Ora 17:50- Policia e Shtetit është prezent tashmë në të gjithë Komunën e Lazaratit, duke mbajtur nën mbikëqyrje situatën dhe duke ofruar dhe rend e siguri për banorët e Lazaratit. Policia e Shtetit u bën thirrje që të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të asistojnë veprimet procedurale të Policisë së Shtetit, duke garantuar një veprim profesional, ligjor dhe në përputhje me standardet dhe në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ora 18:10- Disa banorë nga Lazarati shprehen se nuk kanë asnjë shqetësim nga policia. Ata tregojnë se netët e para të operacionit kanë ngelur pa gjumë për shkak të të shtënave. Madje, dy ditë janë larguar në Gjirokastër.

Ora 18:25- Policia zbulon një bazë me sasi të mëdha municioni si dhe tonelata me kanabis në zonën e quajtur Depoja e Ujit. Policia ka gjetur edhe mitralozin që qëllonte ndaj efektivëve. Mitralozi është gjetur në banesën e shtetasit Jani Dervishi, por nuk dihet nëse ky i fundit ka qëlluar apo jo në drejtim të policisë apo ka qenë dikush tjetër. 18- vjeçari është gjetur pranë mitralozit.

Ora 18:30- Forca dhe mjete të policisë futen e dislokohen në qendër të fshatit.

Ora 20:00– Policia ka zbuluar dy laboratorë për prodhimin e vajit të hashashit në Lazarat. Laboratorët u gjetën në një banesë në fshat. Ndërkohë që efektivët e policisë vazhdojnë aksionin për arrestimin e personave të inkriminuar dhe personave që qëlluan me armë në drejtim të policisë.
Ora 20:10- Policia ka shpallur në kërkim 60-vjeçarin Lilo Brahimi. Sipas policisë shtëpia e tij është përdorur si bazë nga personat e armatosur që kanë qëlluar me armë në drejtim të efektivëve. Të njëjtat burime bëjnë me dije se Brahimi dhe personat e tjerë janë larguar nga fshati. Në banesë janë gjetur sasi të konsiderueshme armatimi, granata, tritol dhe 7 kallashë.