Pas kërcënimit me burg, 31 kryetarë bashkie dorëzojnë në polici “hartat” dhe emrat e kultivuesve të drogës

667
Lajmet nga policia e shtetit, bëjnë me dije se këto ditë ka pasur “sulme” intensive për asgjësimin e plantacioneve me lëndë narkotike dhe arrestimin e kultivuesve të tyre. Afro 30% e efektivëve të policisë së shtetit, 10% e drejtuesve të policisë në ministri dhe 5% e drejtuesve kryesorë në Drejtorin e Policisë së Shtetit, kanë zbritur në territoret e bashkive të armatosur me armë speciale, me anti-plumb, me sëpata, kosore e bidona benzine, për të zhdukur hashashin në malet, kodrat, kullotat, luginat, përrenjtë dhe tokat e zonave të ish-komunave, por edhe të periferive me terren të thyer të qyteteve! Nisur prej faktit, që Shqipëria është “mbuluar” nga gjelbërimi i hashashit, policia e shtetit ka vendosur të sulmoj fermat e drogës. Fakti është ky: Të “dehur” nga suksesi i Lazaratit, por ndoshta edhe duke menduar se me “Lazaratin” mund të krijonin “bindjen” tek ndërkombëtarët se “droga u pastrua”, polica lejoji me veprim e mosveprim të paramenduar, pse jo edhe si biznes të disa kokrrave në rajone e në qendër, rikthimin e mbjelljes masive të drogës në gjithë territorin e Shqipërisë. 

“Përvoja” dhe buja e Lazaratit për fitime të mëdha nga kjo bimë, duke përfituar nga “gjumi” i shtetit dhe interesat e disa shtetarëve që ishin e janë pjesë e këtij biznesi, brenda 2-3 muajve “zona e parë operative” Vlorë-Gjirokastër-Përmet-Tepelenë u mbush me parcela të mbjella me drogë, duke mos lënë asnjë “copë tokë” bosh, madje edhe brenda qyteteve e fshatrave. Pas jugut, nisi kultivimi në krejt zonat e vendit deri në “alpe”, u mblodh edhe “me kubikë” e me sera, brenda oborreve të shtëpive, kasolleve të bagëtive e tarracave! Gazeta “Telegraf”, publikoi 10 ditë më parë një lajm, lidhur me faktin që ish-fermerët e drogës së Lazaratit kishin nisur kultivimin në zonat e rrethit të Përmetit, duke marrë toka me qira, por edhe duke zaptuar toka të braktisura, duke marrë kullota e faqe mali me “letra” prej administratorëve të ish-komunave, kundrejt pagesave ilegale! Prej 3 ditësh, policia e shtetit po publikon lajme aksionesh për asgjësim të mijëra bimëve narkotike të mbjella nëpër zona, nga veriu në jug. Njofton edhe se ka kapur ndonjë kultivues, siç njofton edhe se droga është mbjellë në toka pa zot, por edhe në toka prona të bashkive! E gjendur përballë pamundësisë për të identifikuar plotësisht kultivuesit e drogës dhe parcelat e mbjella, mësohet se 1 muaj më parë Ministria e Brendshme ka bërë një takim “sekret” me drejtuesit e 61 bashkive të Shqipërisë, me prefektët, zv/prefektët dhe kryetarët e Këshillave të Qarqeve, për të ndërtuara një skemë të re për luftën kundër kultivimit të hashashit, pra për të zhdukur sasitë e mbjella e për të bllokuar përfundimisht këtë aktivitet. 

Sipas informacionit që i ka ardhur gazetës “Telegraf”, në këtë mbledhje nuk është folur me “lutje”, por me urdhra të formës së prerë e me gjuhë të ashpër nga ministri Tahiri, duke i kërcënuar edhe me burgosje kryetarët e bashkive, prefektët, kryetarët e qarqeve, administratorët dhe kryepleqtë e zonave, në rast të mos bashkëpunimit me policinë e shtetit! mësohet, se drejtuesve lokalë u është vënë përballë nga një kopje e printuar e Ligjit Nr. 9559, datë 8 qershor 2006 me object “Për një shtesë në ligjin nr. 7975, datë 26 korrik 1995 “për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i cili ka si përmbajtje prangosjen e tyre, në rast të mos kryerjes së detyrimit ligjor për të bashkëpunuar me policinë e shtetit dhe institucionet e tjera ligj-zbatuese anti-krim, për zbulimin dhe informimin e saktë dhe të shpejt, lidhur me zonat, parcelat dhe individët që kultivojnë drogën në territoret e bashkive, qarqeve, prefekturave dhe njësive administrative ku ata drejtojnë! Ultimatumi i dhënë për të zgjedhur lokalë nga ministria e Brendshme, ishte ky: brenda muajit të dorëzohen të dhënat e plota për zonat. sipërfaqet dhe individët që kultivojnë drogën, madje edhe për zyrtarë, apo shtetarë lokalë e qendror që i mbrojnë e i financojnë këta kultivues! Pas marrjes së ultimatumit, drejtuesit lokalë, kanë mbledhur me urgjencë administratorët dhe kryepleqtë e zonave ku ata drejtojnë, duke përsëritur ultimatumin për informacion të shpejt dhe kërcënimin për burgosje sipas Ligjit Nr. 9559, datë 8 qershor 2006, prej të cilit, drejtuesit lokalë të çdo niveli nga kryeplaku e deri tek kreu i Këshillit të Qarkut, detyrohen të informojnë policinë për kultivuesit e drogës në zona, në të kundërt dënohen me burg sipas neneve 248, 300 e 310 të Kodit Penal, me akuzën “Për mos kallëzim krimi, bashkëpunim me krimin dhe favorizim e mbrojtje të krimit”. Pas këtij takimi, drejtuesit lokalë kanë përcaktuar zonat e vrojtimit, duke aktivizuar edhe “spiunë popullorë” të paguar, për të evidentuar parcelat dhe individët që kultivojnë drogën. 

Deri ditën e shtunë, kanë qenë 31 kryetarë bashkie, të cilët kanë depozituar informacione të plota e të detajuara në Ministrinë e Brendshme për “hartat” dhe emrat e kultivuesve të drogës në zonat e tyre. Në bazë të këtyre informacioneve “speciale” e të detajuara, policia ka nisur operacionet e “korrjes e djegies” së drogës dhe prangosjen e kultivuesve, emrat e të cilëve 31 kryetarët e bashkive i kanë depozituar në ministri dhe në policitë rajonale, si informacion “Top sekret”! Mirëpo edhe në këtë rast, mendohet se informacioni “ka rrjedhur” nga ata që kanë hartuar të dhënat dhe listat me emrat e kultivuesve, ndaj dhe policia nuk ka mundur t’i prangosë dot, duke kapur vetëm bimët të cilat pasi i ka numëruar për efekt statistike, u ka vënë zjarrin me benzinë. Sipas policisë, dyshohet se ata i kanë shpëtuar prangosjes, për shkak të dekonspirimit të aksioneve, prej disa drejtuesve të pushtetit lokalë. Mësohet, se për ata drejtues lokalë drejtues bashkie, administratorë të ish-komunave, prefektë, kryetarë qarqesh e kryepleq, por edhe për policë e zyrtarë të tjerë që janë pjesë e “zbulimit” dhe që janë futur në listën e dyshimit si “spiunë” në shërbim të kultivuesve të drogës, ka nisur një “hetim specialë” brenda të cilit bëjnë pjesë 36 kryebashkiakë, prefektë, kryetarë qarqesh, administratorë e kryepleqtë të qarqeve Vlorë, Gjirokastër, Fier, Berat, si dhe 32 kryebashkiakë të qarqeve Elbasan, Dibër, Kukës, Lezhë, Shkodër, të cilët kanë informuar kultivuesit për listat e hartuara, madje disa prej tyre as nuk i kanë përfshirë në listat që i kanë dërguar policisë, nën shpjegimin “nuk dihen”!
Ja përcaktimi në Ligjin Nr. 9559, datë 08. 06. 2006
Neni 10/1
1. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, specialistët e policisë së rendit dhe të policisë kriminale në zonë, brenda juridiksionit të tyre administrativ, në bashkëpunim dhe me strukturën përkatëse të luftës kundër drogës në drejtorinë e policisë së qarkut, organizojnë punën për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, zbulimin e sipërfaqeve të kultivuara dhe identifikimin e personave përgjegjës.
2. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, specialistët e policisë së rendit dhe të policisë kriminale në zonë, për çdo rast të vërejtjes apo marrjes dijeni për kultivimin e bimëve narkotike në zonën që mbulojnë, janë të detyruara të raportojnë menjëherë me shkrim në strukturën përkatëse të luftës kundër drogës në drejtorinë e policisë së qarkut.
3. Kur personat e mësipërm veprojnë në kundërshtim me pikën 2 të këtij neni, sipas rastit janë subjekte të veprave penale të parashikuara nga nenet 248, 300 dhe 310 të Kodit Penal.
Sigal