Pandëshkueshmëria dhe shou mediatik i ministrit përballë shtimit të kriminalitetit

182

Tualeti me pudër i ministrit Tahiri nuk e mbulon dot as gjakun që derdhet në rrugë dhe as blozën e tritolit…

Ngjarja e fundit, ku një biznesmen u ekzekutua në zemër të institucioneve politike dhe ekonomike tregon se sa hipokritë janë politikanët tanë dhe se shteti fals i komunikatave të shtypit është krimbur dhe kriminelët kanë mbërritur deri në zemër të tij. Shqiptarët po binden çdo ditë dhe më shumë se shteti nuk ndërtohet nga njerëz, të cilët janë të lidhur me njëri-tjetrin me zinxhirin nepotik, krahinor dhe korrupsionin. Këta njerëz që paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe jo nga paret e xhepit të Sajmir Tahirit (Sajmes ) apo ndonjë tjetri, kanë për mision të vendosin rendin dhe të garantojnë sigurinë e shqiptarëve në çdo cep të vendit gjatë gjithë 24 orëve dhe jo të lejojnë krimin të livadhisë nëpër rrugët e Tiranës. Kanë ndodhur shumë ngjarje, ku secila është e rëndësishme dhe secili shtetas që ka humbur jetën është po kaq i rëndësishëm për familjen e tij sa edhe bankieri i suksesshëm dhe drejtuesi i disa mediave Artan Santo. Sigurisht që, sot ne nuk do aludojmë pse dhe kush e vrau Artan Santon pasi ajo është detyrë e organeve të specializuara dhe përgjegjëse. Ajo që të skandalizon dhe që ngarkon me përgjegjësi të rëndë profesionale, ligjore dhe morale policinë dhe “Kryepolicin” Saimir Tahiri ka të bëjë me fatin se si kriminelët në mes të ditës, në mes të Kryeqytetit i ikën zinxhirit (nepotik) të Ministrisë së Brendshme.

Transformim i shtetit dhe jo transferim i pushtetit

– Figurat e udhëheqësve: Vepra, vendi i tyre në histori nuk mund të përjashtojë asnjërin dhe nga askush. Secili ka vendin e tij, meritat, po dhe mëkatet. Sepse politika kudo në botë: udhëheq, nuk sundon, shërben e nuk rrëmben, kudo ndërton, frymëzon e nuk rrënon…qoftë edhe me tritol. Si mund të tolerohet largimi dhe spektakli i dy kriminelëve nga vendi i ngjarjes, xhirot në rrugët dhe rrugicat dhe asnjë postbllok në daljet e akseve kryesore. Vërtetë Policia e Shtetit kishte dhe ka nevojë për t’u reformuar, për të larguar ata që bashkëjetojnë me krimin apo ata që furnizojnë me materiale kriminelët. Madje, reformimi i policisë duhej bërë nga koka deri tek inspektori më i thjesht pasi kishte dhe ka drejtues që dekonspironin dhe vazhdojnë të spiunojnë operacionet speciale të policisë. Por ky reformim nuk do të thotë që ne të transferojmë pushtetin, por transformojmë shtetin. Jo të zëvendësojmë të djeshmit me disa njerëz të tjerë që janë ofruar sot pranë tij dhe që kanë një të kaluar po kaq të rrezikshme kriminale sa edhe ata që u hoqën dje. Analistët mediatik para dy ditësh në një nga emisionet më prestigjioze News 24, ku edhe Santo ishte bashkëpronar, deklaruan se policia sipas burimeve të tyre ka marrë urdhër që të mos rrezikojnë jetën e tyre në përplasje me kriminelët. Deri më sot nuk kemi parë asnjë nga Ministria e Brendshme që të përgënjeshtrojë këtë deklaratë dhe për rrjedhojë ne po e konsiderojmë si të vërtetë. Por kjo e vërtetë është e hidhur dhe tronditëse pasi ligji për Policinë e Shtetit Nr. 9749 datë 04.06 .2007 thotë se: ……. Neni 4 Përgjegjësitë e Policisë

1. Përgjegjësitë e policisë janë si më poshtë:

Të mbrojë jetën e njerëzve, sigurinë dhe pronën e tyre personale;

të parandalojë, të zbulojë dhe të hetojë, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal, veprat penale dhe autorët e kryerjes së tyre; të mbrojë rendin dhe sigurinë publike;

ç) të mbikëqyrë dhe të drejtojë trafikun rrugor në rrugë për përdorim publik, në përputhje me legjislacionin rrugor;

të mbikëqyrë dhe të kontrollojë kufijtë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë;

dh) të mbrojë individë, mjedise dhe objekte të caktuara nga rreziqe të mundshme;

të administrojë dhe të mbrojë informacionin e klasifikuar, me përjashtim të rasteve kur përcaktohet

ndryshe në legjislacion;

Po në Ligji për policinë e shtetit në Nenin 105/ Bllokimi i rrugëve thuhet : Për nevoja të rendit dhe sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit, ose në rastet e fatkeqësive natyrore apo të aksidenteve, punonjësit e Policisë bllokojnë pjesë të rrugëve ose të mjediseve publike, deri në kryerjen e veprimeve të nevojshme ligjore.

Atëherë lind pyetja: Përse qarkullonte motori pa targa ? Përse nuk u bllokuan hyrje daljet e Tiranës ? Po helikopteri përse nuk u ngrit në moment sikurse ndodh edhe në vendet e tjera të Europës? Të shikohen oraret e kamerave ku vrasësit kanë lëvizur, të shihen edhe planëzimet e shërbimit dhe të nisë hetimi penal për ata polic rrugorë dhe sallën operative që nuk kanë kryer detyrën ose kanë pasur dijeni dhe i kanë lejuar me ndërgjegje. Të shihen kamerat rreth e qark bllokut dhe vendet ku kanë ndaluar kriminelët. Të vihen para përgjegjësisë policët rrugorë dhe postblloqet që kanë qenë të planifikuar, a kanë kërkuar ndihmë në radio apo me telefona me të cilët i ka pajisur vetë shteti. Si ka mundësi që dekonspirohet aksioni i kokainës,vidhen makina ikin në drejtim të Mamurrasit e Laçit dhe nuk vihet askush para përgjegjësisë? Ministri del me ca njerëz me maska në konferenca shtypi, ndërkohë që, duhej të analizonte se përse inspektorët dhe shërbimet e specializuara kanë lejuar dhe bashkëjetuar me laboratorët e drogës. Madje nëse nuk ndëshkohen drejtuesit e qarkut krimi dhe kontrabanda do vazhdojnë të bëjnë kërdinë. Në Tiranë ka qendër të kontrollit dhe vëzhgimit me kamera, për të cilin është bërë edhe shumë publicitet. Si nuk e vunë re dy javë rresht këta punonjës të vëzhgimit që një  motor në të njëjtat koordinata (rrugë dhe rrugica) kalon para hundës së punonjësit të policisë. Policia Rrugore ndalon me dhjetëra makina me njerëz, familjarë, zonja dhe i kërkon dokumentet dhe nuk guxojë të kontrollojë rastet si ky që ka ngjallur dyshimet jo vetëm tek banorët e të ndjerit Santo, por edhe në rrugët e bllokut, tek sheshi “Willson”, tek Rruga e Presidencës etj.. Si shpjegohet që policisë nuk i ka ngjallur asnjë dyshim ky rast? Fakti që Policia Rrugore dhe patrullat u gjetën në gjumë dhe u lanë në gjumë nga krimi tregon ose paaftësinë dhe përgjegjësinë e drejtuesve anemik të policisë ose implikimin e strukturave të caktuara brenda policisë. Kush e ka dhënë urdhrin që policia të ruajë veten dhe mos të përplaset me kriminelët. Nëse policia nuk e bënë një gjë të tillë për përplasjen dhe neutralizimin me kriminelët, kush do e bëjë tjetër. Po shqiptarët kush do t’i ruajë dhe përse paguajnë taksa? Taksat e shqiptarëve nuk paguhen për të mbushur xhepat e policëve, të cilët kanë si mision vetëm ruajtjen e udhëheqësve të rinj të rilindjes. Po popullin e thjeshtë kush do ta ruajë? Me sa duket Saimir Tahiri ia ka lënë kujdesin për qytetarët dhe bizneset krimit dhe kriminelëve?

Shou mediatik i ministrit Tahiri

-Shumë qytetarë dhe analistë të thjeshtë, thonë se, politikanët tanë kanë pushtuar e poshtëruar edhe ekranet meditake. Ata ngrenë shqetësimin qytetar, se nuk po kryhen reformat, të cilat i votuan dhe aspiruan shqiptarët. Ministri Saimir Tahiri u vlerësua për shkatërrimin e bazës së trafikut të hashashit në Lazarat megjithëse “Komuna” aty ishte dhe duhej vetëm vullneti politik për t’u realizuar një operacion, ku një pjesë e mirë u dorëzuan vetë si lepuj pazari. Ky vullnet politik gjeti mbështetjen e padiskutueshme nga Kryeministri Rama, ndaj edhe pati suksesin e merituar dhe vlerësimin kombëtar dhe ndërkombëtar. Por rasti i ekzekutimit të Artan Santos dhe dhjetëra qindra akteve kriminale janë ende pa autorë. Madje, edhe një vrasës me pagesë u dorëzua vetë, megjithëse, policia e Durrësit nuk e pranoi denoncimin e tij dhe kur ky vendosi t’i drejtohej medieve atëherë na u quajt si sukses i policisë. Ky rast jo vetëm që nuk është sukses i policisë, por është skandali që nuk ndëshkoi qoftë edhe një polic të vetëm, pale atë që kishte për detyrë qoftë edhe formalisht të pranonte denoncimin. Mosndëshkimi i punonjëse të policisë, përgjegjës për sektorët dhe territorin do të bëjë që ngjarjet jo vetëm që nuk do të zbulohen, por do vazhdojnë më të njëjtin intensitet edhe në të ardhmen. Për Edi Ramën, filozofi i madh grek, Aristoteli ka lënë pas postulatin, filozofinë e lashtësisë sa dhe të re: “E kam mik Platonin, po më shumë dua të vërtetën”. E vërteta është se kjo polici nepotike dhe një pjesë e mirë e inkriminuar nuk e vendos dot rendin dhe sigurinë.