Pacienti godet me karrige infermierin

53

Mungon energjia elektrike prej dy ditësh në QSUT, nuk vihet në punë aparati i veshkave

Dhunë fizike ndaj bluzave të bardha. Një infermier në Spitalin “Nënë Tereza” në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës është bërë pre e dhunës së një pacienti. Ngjarja ka ndodhur dje paradite në hyrjen e repartit të Urologjisë në QSUT, ndërsa mësohet se infermieri i repartit të Urologjisë, Ruzhdi Merja është goditur me karrige në kokë. Burime pranë QSUT-së sqarojnë se personi që ka goditur infermierin është një pacient që priste të kryente goditjen e gurëve në veshka. Nga QSUT bëhet e ditur se shkak për dhunën është bërë mosvënia në funksion e aparaturës, duke e justifikuar këtë me cilësinë e dobët të rrymës elektrike që shërben për të vënë në funksionim aparaturën. Për këtë arsye edhe ditën e pardjeshme pacienti është kthyer mbrapsht nga infermieri duke mos kryer goditjen në veshka, ndërkohë që e njëjta arsye i është dhënë edhe dje. Të njëjtat burime saktësojnë se në shenjë irritimi pacienti e ka goditur nga pas infermierin disa herë në kokë, për t’u ndalur vetëm nga personat e pranishëm në momentin e skenës. Ai është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që infermieri i zhytur në gjak, është marrë nën kujdesin e menjëhershëm të mjekëve. Ai i është nënshtruar një skaneri, pastrimit të plagëve në kokë dhe rezonancës mangetike. Infermieri ndodhet në gjendje të mirë.

Nuk dihet ende identiteti i personit që ushtroi dhunë, i cili pas ngjarjes është larguar menjëherë nga ambientet e spitalit. Mësohet gjithashtu se, Drejtoria e QSUT ka ngritur një ‘Task- Force’ për të inspektuar nga afër situatën e krijuar. Shefi i Shërbimit të Urologjisë, Mustafa Xhani tregoi se, çfarë ngjau në kabinetin e thyerjes së gurëve në veshka. “Është një pacient që ka ardhur dje me gurë në veshka. Ka bërë gjithë dokumentacionin dhe ka shkuar te kabineti të thyejë gurët në veshka, në këtë kohë ka pasur probleme elektrike dhe nuk mund të futej në aparat se nuk ishte e sigurt. Meqë nuk përbënte ndonjë urgjencë, u la për dje në mëngjes. Për shkak të një defekti energjetik, jashtë spitalit, ne kemi ndërprerë punën madje deri në një urdhër të dytë deri kur të stabilizohet gjendja me dritat. Ky person është konfliktuar fillimisht gojarisht me personelin aty dhe atëherë ka ndodhur agresioni, ka marrë një karrige dhe ka goditur ndihmësmjekun, që është një bluzë e bardhë që ishte në krye të detyrës. Ajo bluzë e bardhë është lyer me gjak sot”.