Orteku i kokainës kolumbiane i nxin faqen Shqipërisë

627
Mal me kokainë në Durrës, kapen 180 milionë euro
Shqipëria pushton lajmet botërore, pas bllokimit të mbi 613 kg të ardhur nga Kolumbia. Reagojnë SHBA, BE, Antimafia dhe politikanët shqiptarë
Shqipëria ka zaptuar sërish dje shtypin botëror, këtë herë për një sasi gjigande të kokainës të mbërritur në portin e Durrësit. Policia e Shtetit njoftoi se, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Bora e fundit”. Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milionë euro. Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontejnier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018. Kokaina ishte e fshehur në kontejner me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane. Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç. Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët. Kontejneri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontejnerit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike. Sipas policisë, nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë Donaldo Lushaj, 25 vjeç dhe Armando Pezaku, 25 vjeç. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike. Autoritetet shqiptare deklaruan se po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Ndërkohë, sipas policisë, po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh. “Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurt”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Xhafaj: Keqardhje për reagimet absurde e trillimet
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u shpreh se super operacioni i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore. “Falënderim dhe mirënjohje të thellë për punonjësit e policisë te përfshirë në këtë operacion, si dhe për përfaqësuesit e agjencive të tjera qeveritare ligj zbatuese që u bënë pjesë e tij. Inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë. Roli udhëheqës dhe ekzekutues i Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni është KONFIRMIM i aftësisë zbuluese dhe investiguese në rritje të Policisë së Shtetit dhe vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar”, u shpreh Xhafaj. Ai shprehu keqardhjen e madhe, “jo vetëm si Ministër, por edhe si qytetar i këtij vendi, për reagimet komplet absurde e kundër produktive, si dhe çdo për trillim të papërgjegjshëm të atyre që kurrë nuk thanë një fjalë të mirë për policinë”. “Kam shpresë se Prokuroria, e cila tani ka kompetencën e hetimit do të jetë në lartësinë e detyrës për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje. Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta”, tha Xhafaj. Ai falënderoi edhe qytetarët e partnerët për inkurajimin dhe mbështetjen që po i japin Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Sigal