Operacioni “Qelqi” – Pesë shtetas kapen me 30 kg kanabis, furnizonin 3 zona në Tiranë

506
Një sasi prej 30 kg lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar nga policia e Tiranës.
Operacioni i koduar “Qelqi”, çoi në pranga pesë shtetas, ndërsa u sekuestruar edhe një armë tip Shotgun.
Policia e Tiranës bën me dije se ka arrestuar shtetasit Ilir Zyberi (Avdillari), 46 vjeç, i dënuar më parë, Fabian Zyberi (Avdillari), 20 vjeç, Gentian Boci, 32 vjeç, Odisjen Sakollari, 24 vjeç,si dhe D. A., 17 vjeç, banues në Tiranë.
“Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohen se kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar të llojit “Cannabis Sattiva” drejt personave të ndryshëm në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit”, sqaron policia.
Sipas komunikatës zyrtare, lënda narkotike mbahej e fshehur në banesën e shtetasit Ilir Zyberi nga ku edhe bëhej shitja e saj.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Ilir Zyberi është bërë neutralizimi dhe prangosja në flagrancë e shtetasve të sipërshënuar të cilët po organizonin shitjen e lëndës së dyshuar”, thuhet më tej.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar:
– 5 (pesë) thasë me forma dhe permasa të ndryshme me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sattiva.
– 1 armë e llojit “SHOTGUN”
– 3 telefona celular
– 1 palë pranga
– 1 thikë
Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”, si dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Sigal