Operacioni në Itali me 43 të arrestuar, kreu i Krimeve të Rënda jep detaje: Në terren dhe oficerë të DIA-s

596
Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hadarmataj ka dalë sot në konferencë bashkë me prokurorët italianë nga Bari dhe Puglia, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu për të dhënë detaje për operacionin e përbashkët “Shefi” të organizuar në Itali më 14 mars, ku përfunduan në pranga 43 persona, gjysma shqiptarë.
Hajdarmataj tha se më 14 mars në Shqipëri dhe Itali janë nxjerrë urdhër arreste për 21 persona, pjesë e grupeve të strukturuara kriminale në fushën e trafikut të narkotikëve, Shqipëri-Itali kryesisht kanabis.
“Përgjatë 2016-2017 janë sekuestruar 2.5 ton kanabis, 1 kg heroinë e 1 kg kokainë. Arrestimi erdhi si rezultat i hetimeve të përbashkëta mes Tiranës e Barit, drejtorisë antimafia. Në 2017 midis këtyre dy prokurorive është nënshkruar një marrëveshje. Nga shkëmbimi i informacionit rezultoi se shtetasit Mariglen Shushaj, Malton Lleshi etj ishin pjesëtarë të një grupi kriminal që ndodheshin në vendin tonë. Nga bashkërendimi i forcave dhe provave, u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes së tyre dhe u bë arrestimi në operacionin e datës 14 mars”, deklaroi Hajdarmataj.
Ai zbuloi gjithashtu se në terren kishte edhe oficerë të DIA-s.
“Finalizimi i një bashkëpunimi të suksesshëm e të frytshëm. Është hera e parë që në një operacion të tillë asistojnë oficerë të DIA-s që treguan frymën e tyre të bashkëpunimit gjatë punës në terren me oficerë të policisë së shtetit. Janë siguruar gjithashtu masa sigurimi arrest me burg për Ferhat Hajdinin dhe Fiqiret Seferi për disa episode. Hetimet janë ende në vijim, duke premtuar rezultate pozitive në luftën e përbashkët kundër narkotikëve. Bashkëpunimi ynë është vijues edhe gjithëpërfshirës duke përmendur krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, ku kemi edhe të arrestuar, si Dino Abazi.

Po kryhen hetime paralele nga Shqipëria e Italia për një numër procedimesh për sasi të mëdha narkotikësh, kryesisht kanabis, të trafikuara përmes formave të ndryshme”, deklaroi Hajdarmataj.

Dr.Ettore Cardinali, i prokurorisë anti-mafia të Barit, drejtues i hetimeve që çuan në kapjen e 43 personave konfirmoi informacionet e dhëna nga Hajdarmataj.
“Jam këtu për të verifikuar raportet e mira të besimit që janë vendosur me prokurorinë për krime të rënda që nga viti 2017 me skuadrën hetuese të përbashkët. Kemi konstatuar edhe bashkëpunimin e plotë të policisë në ekzekutimin e këtyre urdhrave të arrestit”, tha Cardinali, duke theksuar se bashkëpunimi do vijojë.
Sigal