Operacioni anti-tritol, policia kap armë, po asnjë gram dinamit

531
Sigal

TIRANË- Jo pak, por 740 forca policie kanë organizuar ditën e djeshme në rrethet kryesore të vendit një operacion lidhur me informacionin nga hetimet për shpërthimet e fundit me tritol dhe kanë mundur që të bllokojnë e sekuestrojnë një sasi armësh e municionesh luftarake dhe pak hashash… Por, nuk ka mundur të gjejë baza të minave me sahat apo lëndë të parë, tritol C-4. Në komunikatën e saj pas operacionit, që në nisje thuhet se, “Policia e Shtetit, që prej mëngjesit të ditës së sotme, ka vënë në zbatim një plan masash me objekt kontrollin e ambienteve dhe personave të evidentuar për krime të rënda, armëmbajtje pa leje dhe të dyshuar për vepra penale lidhur me eksplozivët. Në këtë operacion janë përfshirë rreth 640 forca policore të drejtorive të Policisë në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier, të mbështetura nga forcat Speciale RENEA, si dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, Tiranë dhe Fier”. Më tej, në komunikatën e policisë jepen dhe rezultatet e operacionit. “Në kuadër të këtij operacioni, deri në këto momente nga strukturat e Policisë së Shtetit është ushtruar kontroll në 164 ambiente të ndryshme, si dhe janë shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme 49 persona. Janë sekuestruar:

një sasi prej rreth 1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 700.000 euro, 4 armë zjarri tip kallashnikov, 2 armë zjarri pushkë, 1 armë zjarri snajper, 4 armë zjarri pistoleta, një pajisje për prodhimin e eksplozivëve, 2 granata, një sasi lëndë narkotike marijuanë, së bashku me një presë për presimin e lëndës narkotike marijuanë. Këto kontrolle do të vazhdojnë me intensitet dhe gjatë ditëve në vijim, me synim parandalimin e ngjarjeve dhe kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve të veprave penale, personave të kërkuar, si dhe të personave që mbajnë armë apo eksplozivë”. Përveçse më sipër, në komunikatë nuk konfirmohet të jetë kapur ndonjë person i shpallur në kërkim. Gjithsesi, operacioni i djeshëm, me arsenalin e kapur, është një tregues i luftës së saj kundër krimit. Por kur në një operacion marrin pjesë qindra forca dhe me objekt (nënkuptohet informacion paraprak), rezultatet ndoshta duhet të ishin më të mira. Ndryshe, operacione me forca të shumta, rrezikojnë në kthehen në shou…