“Nuk udhëtonin bashkë, kishin frikë se vdisnin në aksident”, rrëfimi i dhimbshëm i babait për djemtë që vdiqën nga tërmeti në Durrës

434
Sigal

I druheshin të iknin të dy nga kjo jetë dhe të linin pas familjet e tyre që jetojnë mes kushteve të vështira në fshatin Livoç i Epërm në Gjilan të Kosovës.

Por fatkeqësisht tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, i mori të dy bashkë. Është kjo historia e trishtë e Isës dhe Shemsedinit, dy vëllezërve nga Kosova që vdekja i mori nën rrënojat e Hotel “Tropikal” në Durrës, aty ku kishin pasur vetëm kujtime të gëzueshme.

Familja Abazi kishte rreth 15 vjet që pushimet e verës i kalonte në këtë hotel në Durrës. Më 25 nëntor, një natë para tërmetit, vëllai i madh, 32-vjeçari Shemsedini, kishte marrë me vete edhe të voglin, Isain, 29 vjeç.

Isai kishte mbetur i papunë dhe për të mos e lënë vetëm, vëllezërit guxuan të bëjnë të parin udhëtim të gjatë, të dy në të njëjtën makinë. Babai na tregon se frika më e madhe e djemve të tij që nuk i ka më pranë vetes, ishte të vdisnin të dy në ndonjë aksident, e për këtë arsye asnjëherë nuk kishin udhëtuar bashkë.

Por fati deshi që ata të shuhen në krahët e njëri-tjetrit duke lënë pas dhimbjen e papërshkueshme tek nëna, babai, nuset, dhe 6 të vegjlit e tyre. Familja i kishte drejtuar sytë nga dy djemtë të cilët punonin mekanikë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse ata kishin marrë rrugën në Durrës, për punë.

Dy djem mjaft të lidhur me familjen, çka e tregon edhe një telefonatë që i kanë bërë në mbrëmje babait të tyre për ta qetësuar se janë mirë: Tani po flemë! Pas këtij mesazhi ata nuk u zgjuan më kurrë! Tërmeti i së martë në 03:54 i zuri në gjumë në dhomën e hotelit, teksa pas orësh të tëra u nxorën të pajetë nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Nga Tiranë në Livoçin e Epërm, na çoi një mision i veçantë. Një biznesmen në Tiranë me origjinë nga Vlora, i cili dëshiron të mos e shuajë gjestin e bamirësisë duke e bërë publik emrin, me të dëgjuar në lajme historinë e trishtë të familjes Abazi dhe jetesën e tyre të vështirë, vendosi të dhurojë 6 mijë euro, nga 1 mijë euro për 6 të vegjlit që humbën baballarët në një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore që preku Shqipërinë.

Babai nuk duket i lëkundur nga fatkeqësitë që e kanë zënë këtë familje. Vite më parë i ishte shuar një tjetër djalë, por ai qëndron i fortë…mundohet të mos lëshojë lot, dhe t’i japë shpresë bashkëshortes së tij dhe nuseve të dy djemve që tashmë duhet të rrisin të vetmet 6 fëmijë.