Një nga vrasësit e Elton Çiçës, i biri i Hysni Milloshit

48
Policia e Tiranës mësohet se ka identifikuar dy personat që dyshohet se kanë kryer vrasjen e Elton Çiçës, ngjarje e ndodhur në lokal “De Niro”, në zonën e Tiranës së Re pak javë më parë. Autorët e dyshuar janë Jani Aliaj dhe Renato Milloshi. Ky i fundit është djali i të ndjerit Hysni Millopshi, ish-kryetari i Partisë Komuniste. Ndërsa Jani Aliaj, që dyshohet edhe si eksekutori i Çiçës brenda lokalit “De Niro”, më 25 prill 2016 i ka shpëtuar një atentati ndaj tij në Gjirokastër.
Për këta dy shtetas, Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin “Arrest me burg”, por të dyshuarit janë ende në arrati. Kreu i policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, u shpreh se, dy personat janë të rrezikshëm dhe kanë dhënë 500 mijë lekë shpërblim për këdo që jep informacione. Gjatë deklaratës për median, Hodaj u shpreh se personat e dyshuar si autorë të këtij krimi janë Jani Aliaj lindur në Tepelenë dhe Renato Hysni Milloshi, lindur në Berat e banues në Tiranë.
Ky i fundit është djali i ish-kryetarit të Partisë Komuniste, Hysni Milloshi i ndarë nga jeta pak vite më parë. Policia ka bërë të ditur se këta dy persona janë të rrezikshëm dhe janë shpallur në kërkim. Me identifikimin e dy personave të dyshuar si vrasës të Elton Çiçës, janë zbardhur edhe detaje të reja në lidhje me këtë krim. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, njeriu që ka qëlluar ndaj Çiçës është tepelenasi Jani Aliaj. Kjo në bazë të provave të mbledhura nga Polica dhe Prokuroria e Tiranës. Ndërkaq Renato Milloshi është identifikuar si personi i cili e ka ndihmuar Aliajn, është bashkëpunëtor në krim.
Kushdo që ka informacione në lidhje me to që çojnë në arrestimin e Aliajt dhe Milloshit do të shpërblehet me 500 mijë lekë.