Nisin aplikimet për t’u bërë pjesë e policisë së shtetit. Ja kushtet dhe kriteret

428
Sigal

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për personat që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe duan  të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit. Aplikimi fillon ditën e sotme datë 1 shkurt 2019 dhe gjithsej janë 150 vende të lira. Vendimi për të rekrutuar studentë të rinj të diplomuar bëhet pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik. Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet portalit të Akademisë së Sigurisë, nga data 1 Shkurt 2019 deri në datë 15 Shkurt 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Kriteret e përgjithshme për pranimin në Akademinë e Sigurisë e këtyre kandidatëve:

– të jenë shtetas shqiptarë;

– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;

– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;

– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht, për të kryer detyrën;

– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundravajtjeje penale me dashje;

– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;

– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit ‘B’.

Kriteret e veçanta për pranimin në Akademinë e Sigurisë

– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):

– të jenë në moshë jo më shumë se 29 vjeç;

– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi ‘8’;

– të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;

– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Fazat e vlerësimit për aplikantët që plotësojnë kriteret:

-Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga mesatarja e mesatares së ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në të njëjtin profil arsimor, si dhe ata me mesatare të njëjtë sipas institucionit ku aplikanti ka përfunduar shkollimin;

– vlerësimi i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;

– intervistimi i aplikantëve;

– kontrolli shëndetësor;

– marrjes së shenjave të gishtave;

– verifikimi përfundimtar i aplikantit.