Ngjarje e rëndë në Shkup/ Treni shtyp një grup emigrantësh. Të paktën 14 të vdekur

529
Mbrëmjen e vonë të së enjtes një tren që udhëtonte nga Velesi në Shkup ka shtypur një grup të madh emigrantësh, të cilët lëviznin përgjatë hekurudhës. Sipas informacioneve fillestare bëhet e ditur se ka një numër të madh viktimash. Deri tani flitet për 14 të vdekur dhe disa të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në një terren ku mund të shkohet vetëm nëpërmjet hekurudhës, transmeton TetovaSot. Një grup hetuesish të policisë së Velesit dhe një ekip i ndihmës së shpejtë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe është bërë hetim i rastit, ku është konstatuar se 14 persona kanë vdekur menjëherë. Nga informatat e para mësohet se bëhet fjalë për emigrantë nga Somalia dhe Afganistani të cilët kanë lëvizur nëpër hekurudhë, por nuk përjashtohet mundësia që në këtë grupë të kishte edhe emigrantë nga Siria. Ndërsa makinisti që po drejtonte trenin ekspress Gjevgjeli – Beograd në drejtim të Shkupit, pasi ka kaluar stacionin “Rajko Zhinzifov” pas 50-100 metrave ai ka vërejtur një grup më të madh të njerëzve të cilët po ecnin në binarët e hekurudhës, por nuk ka mundur dot të ndalojë dhe të shmang tragjedinë. Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa policia ende nuk ka publikuar se kush mund të jenë personat që kanë pësuar nga goditja e trenit.
Sigal