Në Shqipëri duket sikur ligjin e bën krimi dhe jo shteti

441
Sigal

Mbeten të pazbardhura me dhjetëra vrasje, ku dyshohet se policia nuk ka ndërhyrë, ose ka bashkëpunuar me kriminelët

 Zhvillimet në Shqipëri na kanë bindur me kohë se këtu ligjin nuk e bën shtetit, por krimi. Duket qartë se as policia shqiptare, as prokuroria apo gjykatat, as politikanët e lartë nuk kanë guxim të përballen me kriminelët, prandaj iluzionet e krijuara se qeveria e re do t’i vërë gjërat në vend, po bien njëra pas tjetrës. Një shfaqje e dukshëm e pafuqisë së shtetit shqiptar ishte deklarata e kryepolicit, Didi, i cili tha se hyrja e policisë në  Lazarat, tani për tani është një mision i pamundur. Por sikur të ishte vetëm kjo, atëherë puna do të ndryshonte. Në fakt, shteti ka qenë dhe është inekzistent përballë krimit sepse shpesh herë ka qenë edhe bashkëpunëtor apo ortak me krimin. Ky është shkaku që shumë krime kanë mbetur pa emra autorësh dhe shumë individë të dyshuar për krime kanë dalë nëpër fotografi me policët. Prandaj, vrasja e gjykatësit të Vlorës, i cili u hodh në erë me telekomandë, ka mbetur i pazbardhur. Po kështu edhe vrasja e Kosta Trebickës, e Xhindit, e ish -komisarit të policisë së kombinatit dhe shumë figurave të tjera publike, apo jopublike. Kjo frikë e politikës ndaj krimit shpjegohet vetëm në dy mënyra: Ose shteti është ortak me kriminelët, ose pushtetarët janë të intimiduar aq shumë saqë kanë frikë të përballen me kriminelët dhe bëhen shërbëtorë të tyre. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet fakti që në të gjitha qytetet e Shqipërisë, grupet  e të fortëve konsiderohen të paprekshëm nga policia. Madje, po të studiojmë radioskopinë apo analizën e mënyrave se si janë bërë krimet, duket se policia në mënyrë të qëllimshme i ka lënë rrugë të lirë largimit të vrasësve nga vendi i ngjarjes. Madje, ndonjëherë megjithëse, ka arrestuar me qindra njerëz të pafajshëm për një krim, përsëri ajo është kujdesur që fajtori i vërtetë të ketë pasur rrugë të lirë për të ikur. Ndërkaq, me dhjetëra komisarë policie dhe punonjës të thjeshtë janë vrarë si rezultat i dekonspirimit të aksioneve policore nga njerëzit e pushtetit, ose të policisë.

 Ekstradimi i Frrokut

Rreth orës 17:40 të mbrëmjes së djeshme, Arben Frroku ka mbërritur nga Athina në aeroportin e Rinasit. Ekstradimi i Frrokut është bërë me forca të shumta sigurie. Arben Frroku, njeriu i akuzuar për vrasjen e ish- kryekomisar Dritan Lamaj,  ishte njoftuar se, do ekstradohej brenda 24 orëve në Shqipëri, ndërsa kushëriri i tij Jak Jaku është ekstraduar ditën e pardjeshme. Ekstradimi i dy shqiptarëve të arrestuar nga policia greke në shkurt të këtij viti në Selanik, bëhet në zbatim të vendimit për ekstradim, që Gjykata e Lartë në Athinë mori në 7 qershor 2013. Gjykata e Lartë e shqyrtoi çështjen pas apelimit të vendimit të shkallës së parë nga pala mbrojtëse e të pandehurve. Kjo gjykatë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Selanikut dhe iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Drejtësisë shqiptare mbi ekstradimin e të dyshuarit për vrasjen e Kryekomisarit Lamaj. Gjykata e Lartë greke arsyetoi se ekstradimi i të akuzuarit do të ndihmojë për zbardhjen e vrasjes së bujshme të 24 shkurtit në Tiranë.