Në kërkim për tjetërsimin e pronave në Spille, arratiset biznesmeni

737
Biznesmeni Idlir Karkini, i cili po kërkohet prej disa kohësh nga policia, pasi është pjesë e personave që gjykata ka dhënë masën ‘arrest me burg’ sa i takon abuzimeve me tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të Spillesë në Kavajë, nuk ndodhet në Shqipëri.
Karkini, akuzohet për përvetësim të pronave në Spielle, pasi ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale” me pasoja të rënda. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se ka dyshime që operacioni për arrestimin e tij është dekonspiruar. “BalkanWeb’ mëson se biznesmeni rezulton se është larguar nga Shqipëria në datë 11 shkurt nga Rinasi.
ABUZIMI ME PRONËN SHTETËRORE
Prokuroria e Kavajës zbardhi dje të gjithë skemën e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Spillesë duke zbuluar një zinxhir abuzimesh që nga falsifikimi i dokumenteve e deri tek marrja e pronave shtetërore të Forcave Ajrore. Zyrtarë, noterë e biznesmenë, sipas prokurorisë jo vetëm kanë arritur të grabisin rreth 11 mijë m2 tokë në vijën bregdetare Spille Kavajë, duke e tjetërsuar nga “Tokë pa frutë” në tokë “Arë” dhe më pas kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundraligjshme.
Kështu pas një hetimi shumëmujor u mundësua identifikimi i disa shtetasve të dyshuar si përgjegjës për përfshirje në tjetërsimin e pronave. Janë 4 procedime të tjera që i shtohen faktit penal e një prej tyre ka të bëjë me një kallëzim të Komandës së Forcës Ajrore dhe Policisë Rrogozhinë për një poligon në pronësi të FA-ve. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtor janë sjellë nga biznesmeni Idlir Karkini, i cili ka pasur certifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit.
Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar. Ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit si “pronë arë”.
Nga Këshilli qarkut Tiranë prokuroria është informuar se shkresa Nr.2147 dt.28.12.2015 e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar ZVRPP Kavajë, që ka shërbyer për ndryshimin e zërit kadastral nuk është përgatitur nga Institucioni i tyre dhe nuk është dërguar në ZVRPP Kavajë. Ndërsa shkresa Nr.5836 dt.18.11.2015 e ZVRPP Kavajë nuk është dërguar fare në Këshillin Qarkut Tiranë as dorazi dhe as me postë.
Pas kërkesës së prokurorisë gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Idlir Karkini, i cili është shpallur në kërkim. Edhe 6 zyrtarëve të tjerë iu është dhënë nga gjykata masa “arrest me burg”. Pjesë e të njëjtit procedim, kryetarit të bashkisë Rrogozhinë i është bllokuar pasaporta dhe i është ndaluar udhëtimi jashtë vendit, ndërkohë që ka si masë ‘detyrim paraqitje’.
Sigal