Ndeshja Shqipëri–Serbi, 15 vite burg për tifozët e parehatshëm

469
Veprimet e paligjshme të tifozëve në ndeshjen Shqipëri-Serbi, ka gjasa të konsiderohen akte terroriste, duke bërë që fajtorët të dënohen deri në 15 vitet burg.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Qeveria e Shqipërisë kanë nisur qysh tash të mobilizohet që ndeshja e 8 tetorit, e cila do të luhet në Elbasan Arena, të kaloj pa incidente. Për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar rëndësinë e ndeshjes, duhet të marrin vesh se çdo veprim i paligjshëm edhe sado i vogël, do të konsiderohet akt terrorist dhe cenim i sigurisë kombëtare. Në këto kushte, të gjithë tifozët në stadium, duhet të kenë shumë kujdes që të mos jenë subjekt i ndonjë shkeljeje, sepse në të kundërt rrezikohen që të kenë akuza të forta mbi shpinë, shkruan gazeta Shekulli. Ky vendim për të konsideruar çdo veprim si akt terrorist dhe shkelje të sigurisë, kombëtare ka brenda edhe faktin se stadiumi është ambient publik dhe rrezikshmëria është e lartë e ndonjë veprim ndëshkohet shumë rëndë. Në këto kushte ai që do të guxojë të kryejë ndonjë vepër penale, me apo pa dron, do të përballet me gjykatën e krimeve të rënda dhe 15 vitet burg i ka të garantuara.
Një veprim i tillë është marrë për të parandaluar çdo çmenduri të mundshme në stadium dhe jashtë tij. Ndërkaq, FSHF edhe një herë tjetër kërkon nga ti- fozët qetësi. Në një postim të vetin në rrjetet sociale FSHF kërkon: “Të dashur miq, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ka një lutje për të gjithë ju! Kurrsesi nuk duhet të bëjmë gjeste në ndeshjen Shqipëri-Serbi më 8 tetor 2015. Ne kemi kulturë dhe nuk duhet të bëjmë veprime të tilla kur të këndohet himni i kundërshtarit siç reklamohet nga mediat antikombëtare, përkundrazi kthimi i shpinës do të na shtyjë në një tension që në minutën e parë të ndeshjes. Jemi të vetëdijshëm që është një gjest antisportiv dhe nuk sjell paqe. A kemi kulturë? A e duam kombëtaren? Atëherë le të sillemi si qytetarë”, thuhet në shkrimin e Kombëtares Shqiptare”, shkruhej në postimin e faqes zyrtare të Kombëtares Shqiptare. Sa i përket biletave, grupimi i madh tifozëve që mbështesin kombëtaren do të jenë në sfidën e 8 tetorit ndaj Serbisë. Tifozat Kuq e Zi nuk do të mungojnë dhe do të jenë rreth 2 mijë. Kjo është marrëveshja që është arritur me Federatën Shqiptare të Futbollit. TKZ që prej vitesh nuk mungon në tribuna në mbështetje të përfaqësueses kërkon që ekipi i drejtuar nga Gianni De Biasi të shkojë në finalet e Euro 2016 dhe për këtë do të mbaj në kontroll sportdashësit në “Elbasan Arena”.
Këta tifozë “fanatikë” të ngjyrave kuq e zi nuk duan që kjo ëndërr të mos pengohet nga askush. Ata gjithashtu kanë sqaruar se: “Njoftojmë opinionin e gjerë se asnjë lajm sa i përket koreografisë, veshjeve, vendosjes së banderolave apo edhe qëndrimit ndaj himnit të shkijeve nuk është i saktë”, sqaronin dje ata. Pritet që siguria gjatë përballjes Shqipëri – Serbi të jetë e një niveli të lartë dhe puna për përgatitjen e planit ka nisur prej kohësh. Do të jenë tifogrupet që do të marrin biletat që do të garantojnë se asgjë nga sektori i tyre dhe se në të kundërt grupimet do të mbajnë përgjegjësi për veprimet që do të bëjnë tifozët të cilët do të jenë në stadium. Tifozët janë të motivuar, pas ngjarjeve të dhunës dhe racizmit më 14 tetor 2014 në Beograd, megjithatë personat e rrezikshëm me precedentë kriminalë nuk do të lejohen të hyjnë në stadium. Një fitore përballë serbëve, e kombinuar me humbjen e danezëve në Portugali do t’i dhuronte kuqezinjve kualifikimin historik në fazën finale të Kampionatit Europian.
Sigal