Ndërron jetë një 7-vjeçare, prindërit: Vdiq nga neglizhenca e mjekëve

464
Sigal

Tiranë-Durrës/ Një vajzë vetëm 7-vjeç ka humbur jetën në Pediatrinë e kryeqytetit. Bëhet fjalë për Arsela Vladin, e cila kishte ardhur në gjendje të rëndë nga Durrësi.  Mësohet se vogëlushja 7-vjeçare vuante nga diabeti, ndërsa vdekja i ka ardhur nga një goditje në tru. Pas ngjarjes së rëndë, prindërit e vajzës akuzojnë mjekët e Durrësit për neglizhencë. Nëna e saj, Alma në një deklaratë publike shprehet se, neglizhenca e mjekëve i mori jetën vajzës së saj. Sipas Almës, vajza është shtruar ditën e martë në Pediatrinë e Durrësit dhe se mjekët nuk e kanë kuptuar që ajo vuante nga diabeti, ndërsa shton se ka pritur 12 orë që vajza të vizitohej. Poliklinika Qendrore në Durrës, sipas Almës nuk ka kryer analizat ditën e hënë. “Kur e çova në Pediatrinë e Durrësit vajza ishte rëndë. Mjekët e spitalit të Durrësit vonuan 12 orë vizitën ndaj vajzës. Të mërkurën e nisëm për në Tiranë, por ishte shumë vonë”, tha ajo. Ndërsa babai i 7-vjeçares, Ilir Vladi thotë se, nuk do të denoncojë mjekët, por apelon që ata të tregojnë më shumë kujdes për jetën e njerëzve.

REAGON QSUT

QSUT reagon menjëherë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa e cilëson gjendjen e vajzës 7-vjeçare kritike. Sipas tyre, diabeti tek vajza nuk është konstatuar në kohë prej mjekëve të Durrësit. “Fëmija ka ardhur në gjendje kritike për jetën. 7-vjeçarja ka ndërruar jetë pasi diabeti i kishte prekur trurin, sëmundje kjo që s’është evidentuar në kohë nga mjekët e qytetit prej nga vinte vajza”, thuhet nga mjekët e QSUT. Për pasojë, në Tiranë janë kryer nga e para procedurat e përcaktimit të diagnozës. “Pas analizave u përcaktua saktësisht diagnoza”, thuhet nga QSUT.