Ndalimi i studentit Tego, policia: Kemi zbatuar procedurat

616
Shoqërimi dhe më pas ndalimi i studentit të drejtësisë Ani Tego nga ana e policisë së kryeqytetit, se dyshohej për falsifikim patente, është konsideruar në vazhdën e kryerjes së procedurave normale. Gazeta “Telegraf”, u interesua ditën e djeshme në drejtorinë e Policisë Tiranë për mënyrën se si janë kryer këto procedura, por në fakt në morëm një përgjigje të shkurtër. Zyrtarisht na u tha se çështja është e njohur, ka dalë në komunikatën zyrtare të policisë dhe i riu është shoqëruar dhe ndaluar për falsifikim patente. Por ne nuk arritëm të merrnim përgjigjen që donim, se përse u mbajt 48 orë në dhomat e izolimit në një kohë që patenta figuroi e rregullt dhe emri i tij ndodhej në sistem. Punonjësit e policisë që bënë ndalimin e Ani Tegos, janë shprehur edhe në procesverbal se patenta nuk është e regjistruar në sistem dhe për këtë arsye ai duhej të qëndronte ne izolim, edhe pse të drejtën e verifikimit e kishin punonjësit e policisë. Nga ana e tyre nuk është marrë asnjë mundim për të kryer verifikimin, deri në momentin, që kjo procedurë u krye nga Drejtori i Drejtorisë së Transporteve, Arben Isaraj, me kërkesë të avokatit Saimir Vishaj. Për të marrë përgjigje më të detajuar në Policinë e kryeqytetit na u tha, se duhej të bënim më parë një shkresë zyrtare e të prisnim për përgjigjen. Ndërkohë sa për ndjekjen e oficerëve të policisë gjyqësore që nuk bënë punë ne tyre, por e mbajtën 26-vjeçarin 48 orë në izolim, tani çështja po hetohet nga SHKB. Ankimimin në këtë strukturë të Ministrisë së Brendshme e ka bërë vetë i dëmtuari. Ai kërkon që drejtësia të funksionojë që nga baza. Pra, punonjësit e policisë të jenë të aftë të kryejnë detyrën e tyre në momentin që ndalojnë një person dhe e akuzojnë për një vepër penale.
Sigal