Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh i kërcimit shqiptar, Prof. Dr. Skender Selimi

218
Lajmin e hidhur e bën me dije Ministrja e Kulturës. Mirela Kumbaro e cila në adresën e saj zyrtare në internet shkruan ”Ndërroi jete mjeshtri i kercimit shqiptar, Prof. Dr. Skender Selimi, për te vazhduar vallezimin lart ne qiell”. I cilësuar nga Ministria e Kulturës si “Përfaqesuesi i denjë i një brezi pasionantësh të rrallë” “Mjeshtër i Madh i Punës, Prof. Dr. Skender Selimi, ishte koreografi i parë dhe një ndër krijuesit e baletit klasik, i cili vuri bazat dhe konceptet profesionalë në Shqipëri.
Mjeshtër Selimi ishte ndër studiuesit e rrallë e cilësorë të folklorit koreografik e problemeve të koreografisë shqiptare. Ai ka edhe një veprimtari të gjerë pedagogjike ku spikat përpjekja për ruajtjen e individualitetit të studentit. Regjisor-baletmaestri i parë ai, është autor i duetit të parë klasik shqiptar, “Anusha”, koreograf i kërcimit të parë modern shqiptar “Alba”, koreograf i vodevilit të parë shqiptar “Mirela”. Gjithashtu është autor i studimit të parë në fushën e koreografisë “Atllasi Koreografik Shqiptar”, pedagogu i parë dhe themelues i katedrës së koreografisë në AAB në Tiranë, Doktor-Profesori i parë me titull shkencor në fushën e koreografisë. Mjeshtër i Madh i Punës, Prof.Dr. Skënder Selimi mbetet një artist pa kompromise, dhe një i dashuruar i përjetshëm mbas baletit, skenës, jetës.