Ndahet nga jeta Majori Llesh, Gjon Gjergji, sot ceremonia mortore

713
Është ndarë nga jeta Majori Llesh Gjon Gjergji.
Homazhet në nderim të tij do të bëhen sot nga ora 10:00- 12:00 pranë Agjensise “Alba 2000” (Rruga e Dibres, nr 302, 200m nga Medreseja)
Dhe 12:00-14:00 Homazhet tek Garnizoni “Skenderbej” (Rruga e Dibres)
Në orën 14:00 do të zhvillohet ceremonia mortore në varrezat e Tufinës.
Jeta dhe kontributi i Major Llesh Gjergjit
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ndërroi jetë nga shkaqe natyrore aviondrejtuesi i shquar shqiptar Llesh Gjon Gjergji. Ai ishte 83 vjeç.
Z. Gjergji u lind në fshatin Sheshaj të rrethit të Mirëditës, Rrëshen, më 13 shtator 1932.
Në karrierën e tij 42 vjeçare si Major, e duke shërbyer në detyra që mbanin gradën e Kolonelit, ai do të mbahet mend si një nga pionerët e parë të aviodrejtimit duke kontribuar dhe lënë pas një trashëgimi të denjë për historinë e dikurshme të lulëzimit të Forcave Ajrore shqiptare.
Llesh Gjergji i ndoqi studimet e para si ushtarak në vitin 1946 në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, për tu diplomuar më pas në vitin 1951 në Shkollën e Bashkuar, dhe Institutin Juridik. Në të njëjtën kohë Lesh Gjergji kreu studime në fushën e aviacionit në Bashkimin Sovjetik dhe Kinë.
Viti 1956 Major Gjergjin do ta gjente të emëruar si Shef i Vendkomandës të Aviacionit në regjimentin e parë të aviacionit në Kuçovë. Ndërsa në vitin 1960 ai transferohet në Tiranë në Vendkomandën Qendrore të Mbrojtjes Kundërajrore.
Në vitin 1965, pas rezultateve të shkëlqyera në punë, Llesh Gjergji vlerësohet me gradën “Major”. Pas daljes nga Traktati i Varshavës në vitin 1968, Major Gjergji emërohet Shef i Vendkomandës Qendrore, duke fituar kështu titullin Shturman i Klasit të Parë. Ndërsa në vitin 1978 ai caktohet Shef i Shërbimit të Kushtrimit Ajror në Ministrinë e Mbrojtjes.
Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, Major Gjergji kreu një sërë misionesh me karakter humanitar në zonat më të thella të vendit duke shpëtuar me dhjetra jetë njerëzish e shpesh here duke rrezikuar edhe jetën e tij në kushte të vështira të motit. Nga ana tjetër, Majori ishte përgjegjës për ruajtjen e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, detyrë për të cilën ai e kreu me seriozitet dhe përgjegjësi të lartë.
Në vitin 1988, pas 42 vjetësh nën uniformën ushtareke, në moshën 54 vjeçare, Major Gjergji del në pension. Pas daljes në pension ai shërbeu si pedagogë pranë Akademisë Ushtarake, si edhe shërbeu duke dhënë këshillat e tij të çmuara pranë Vendkomandës Qendrore.
Major Gjergjit i njihet merita se përgatiti një numër të madh aviodrejtuesish të rinj, të cilët më vonë do t’i shërbenin atdheut me po të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi.
Llesh Gjon Gjergji ishte njeri i thjeshtë dhe fisnik, që ngrihej mbi meskinitetin dhe vogëlsitë. Ai e urrente mburrjen dhe famën. Preferonte të punonte me ngulm në pasionin e tij, duke dhënë kontributin në përcjelljen e njohurive dhe eksperiencës së tij tek brezat e rinj.
Për kontributin e tij të lartë në shërbim të popullit dhe atdheut, Major Gjergji është vlerësuar me mbi dhjetë dekorata dhe medalje mirënjohjeje.
Majori Llesh Gjon Gjergji do të mbetet në historinë e aviacionit shqiptar si një ndër oficerët e parë të asaj plejade kuadrosh që me sakrificën e pakursyer themeluan atë që u quajt kohët e arta të aviacionit shqiptar.
Ai lë pas bashkëshorten, Marie, fëmijët Lindita, Arjanin, Aleksandrin, nipin dhe mbesat.
Sigal