“Mos ia prekni shallin, e ka amanet nga vajza”, si u zbulua njolla e zezë në qafën e gruas së mbytur në Fier

547
Zbardhen të tjera detaje tronditëse nga krimi makabër që ndodhi një vit më parë, ku burri mbyti me litar bashkëshorten e tij të moshuar. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës së 3 janarit, ku Namik Velaj akuzohet se vrau bashkëshorten e tij Vreke Velaj, teksa ishin të vetëm në banesën e tyre në Patos.
Prokuroria e Krimeve të Rënda në hetimet e kryesuara nga prokurori Besnik Muçi zbuloi se pasi gruaja ndërroi jetë, për të krijuar alibi, Velaj thirri edhe mjekun e urgjencës, i cili nuk arriti të konstatojë shenja dhune, por doli në përfundimin se gruaja kishte vdekur nga hiper-tensioni. Në këto kushte plaku me gjakftohtësi e veshi gruan me rrobat e saj më të mira dhe i mbuloi qafen me një shall, që ajo e ruante si kujtim nga vajza që nuk jetonte më.
Namik Velaj iu kërkoi edhe të afërmve të gruas të mos ia preknin shallin që e kishte amanet nga e bija, duke u përpjekur kështu të mbulojë shenjat e krimit të tij. Por kunatat e së ndjerës pikasën poshtë shallit hematoma të zeza të shkaktuara nga litari me të cilin gruaja u mbyt. Pas kësaj të afërmit e gruas denoncuan në polici dhe menjëherë nisën hetimet, të cilat konkluduan se 74-vjecarja ishte vrarë nga bashkëshorti. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë caktoi per 75 vjecarin masën e sigurisë “Arrest në Burg” për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Për mjekun Ilir Tanku ka nisur procedimi penal për “Shpërdorim detyre”, pasi në kundërshtim me ligjin ai si mjek urgjence plotësoi kartelën e vdekjes. Për të është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, ndërsa i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit. Motivet e ngjarjes se rende mbeten te paqarta, por arrestimi i 75 vjecarit pritet t’i qartësojë edhe ato.
Sigal