Mohon tritolin në banesën e Ardian Kollozit, Sinanaj ndryshon deklarimet

49
Procesi ndaj të ashtëquajturës “Banda e tritolit” të Vlorës ku janë 9 persona të pandehur për vrasje me pagesë e akte terroriste është futur në ngërç. Shkak për këtë është bërë ndryshimi i deklarimeve nga bashkëpunëtori i drejtësisë Julian Sinanaj për një sërë krimesh të cilat ai ka pranuar autorsinë.
Për të shmangur çdo dyshim se deklarimet e Sinanajt janë të manipuluara gjykata ka vendosur të paraqes në sallë pamjet filmike të deklarimeve që Julian Sinanaj ka dhënë fill pas arrestimit të tij më 30 Janar 2014 në Policinë e Shtetit.
Burime nga gjykata thanë për Shqiptarja.com se Sinanaj ka mohuar tre krimet për të cilat ai më parë ka bashkëpunuar me drejtësinë për zbardhjen e tyre. Një prej këtyre krimeve është dhe bomba e telekomanduar e vendosur në banesën e ish-kreut të Partisë Demokratike në Vlorë Ardian Kollozi.
Por ç’farë ndodh me Sinanaj?
Julian Sinanaj gëzon statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, por sipas burime të rezervuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në rast se Sinanaj tërhiqet nga krimet e zbardhura ai mund ta humb statusin e bashkëpunëtorit.
Video-regjistrimi i deklarimeve të Sinanajt është 7 orë dhe pritet që me seancën e 19 nëntorit kjo provë të shfaqet e gjitha në sallën e gjyqit pasi deri tani është parë gjysma e kësaj dëshmije me video.
Me dëshminë e Sinanajt Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti të zbardh aktivitetin kriminal të bandës së tritolit dhe vrasjeve me pagesë duke arrestuar Ndriçim Gjokonën , Marjon Mitron , Albin Mexhaj , Ilir Karçinin, Andon Mëhillajn si dhe shpalljne në kërkim të Genis Mëhillaj.
Aktualisht në këtë proces që prej më shumë se 1 viti zhvillohet me dyer të mbyllura ka përfunduar pyetja e mbi 130 dëshmitarëve ndërsa pritet administrimi i provave shkresore mes tyre dhe video-dëshmija e Sinanjt.