Ministria e Haxhinastos dhe ARRSH e Xhikës të gjykohen për veprën penale “Vrasje me dashje”

492
Aksidenti tragjik i para dy ditëve në aksin rrugor Golem–Rrogozhinë do të mbahet mënd si një nga ngjarjet më tronditëse dhe më prekëset e këtyre viteve të fundit. Kjo jo vetëm thjesht si një ngjarje tejet e rëndë dhe shokuese, ku dy fëmijë të pafajshëm humbën jetën dhe nëna e tyre bashkë me foshnjën e vogël u aksidentuan, por falë zotit shpëtuan, por edhe si një fakt më shumë që korrupsioni nuk pyet as jetë njerëzish dhe fëmijësh. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Shtetit ka rastin të tregojë se nuk mund të lundrojë mbi gjakun e të pafajshmëve dhe fatkeqësitë e shqiptarëve. Gazeta “Telegraf” ka mëse 1 vit që me fakte konkrete ka denoncuar rastin skandaloz të abuzimit me tenderin e sinjalistikës Golem – Rrogozhinë. Dhe pasojat ja tek janë. U aksidentuan para disa ditësh tre të rinj, që u gjendën pa jetë në një kanal, një makinë del nga rruga dhe përfundon në oborrin e një banese dhe për pasojë godet fatalisht të zonjën e shtëpisë që rrinte e ulur në oborrin e saj, duke i marrë jetën. Në një tjetër rast taksia, së bashku më dasmorët u aksidentua duke u shkaktuar disa vdekje, një furgon del nga rruga dhe guardielat mbrojtëse të rrugës nuk e mbajnë, sepse janë të dobëta dhe jashtë parametrave të përcaktuara shkencërisht dhe për pasojë humbasin jetën 3 persona dhe plagosen 5 të tjerë. Si këto raste janë me dhjetëra e qindra dhe që të gjitha i përkasin aksit rrugor Kavajë – Rrogozhinë.

 Aksidente ndodhin dhe kjo nuk përbën ndonjë gjë të re, pasi ato ndodhin në rrugët e Shqipërisë, por ndodhin edhe në botë, por e rëndësishme është që këto aksidente të kenë sa më pak pasoja për qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve, pasi edhe milionat e shpenzuara nga taksat e qytetarëve shqiptarë pikërisht këtë qëllim kanë. Dhe qëllimi është të shpëtohet jeta e qytetarëve, ndaj vendosen mbrojtëset anësore ose guardielat, sikurse quhen në gjuhën e përditshme teknike. Por që të humbasësh jetën dhe shkak të jenë mbrojtëset metalike anësore (guardielat), të cilat kanë qëllim të shpëtojnë jetë dhe jo ta marrin atë, kjo nuk mund të kuptohet dhe nuk mund të pranohet kategorikisht as nga ekspertët dhe as nga njerëzit më të zakonshëm, sado indiferentë të jenë. Përse nuk ka pasoja vdekje në rrugën Plepa-Golem? Edhe këtu ka pasur aksidente, por jo me pasoja vdekjeprurëse, sepse parametrat e sigurisë, pra mbrojtëset anësore janë sipas katalogut dhe ISOS së sigurisë rrugore Evropiane dhe Botërore. Sipas denoncimeve të Gazetës “Telegraf”, e njëjta siguri rrugore, me të njëjtët parametra duhej të ishte në të gjithë gjatësinë e rrugës nga Plepat deri në Rrogozhinë tek rrethrrotullimi. Por çfarë u bë? U bë tenderi me parametrat e rrugës Plepa – Golem, por pas disa kohësh që ishte fituar tenderi, Autoriteti Rrugor Shqiptar me Drejtor Dashamir Xhikën e ndryshon projektin, duke ulur elementët e sigurisë rrugore, por fondi dhe milionat me të cilën u fitua tenderi mbetën të njëjta. Ku ka rast në botë, që pasi ka mbaruar tenderi, Autoriteti Rrugor të ndryshojë projektin…?!?! 


Kjo jo vetëm përbën shkelje të barazisë në tender, por edhe dobëson elementët e sigurisë, pasojat e së cilës ne po i vuajmë dhe do të vazhdojmë t’i vuajmë çdo ditë. Nuk lejon shkenca e sigurisë rrugore logjikën mjerane të ARRSH, që po ul elementët e sigurisë, duke rrezikuar jetën e njerëzve. Dhe pasojat ja tek janë, katastrofike dhe shkak është babëzia dhe makutëria e titullarëve të ARRSH. Fillimisht, duke ngushëlluar të gjithë familjarët e atyre që kanë pësuar aksidente në këtë aks rrugor, na duhet të publikojmë me forcë zërin e ekspertëve, të cilët shpjegojnë se pasojat vdekjeprurëse vijnë nga elementët e dobët të sigurisë dhe se të gjithë familjarët duhet të denoncojnë hajdutët dhe maskarenjtë, që duan të vjedhin duke lënë pas, me dhjetëra jetë të humbura prej aksidenteve tragjike. Urgjentisht kompanitë e sigurimeve dhe pjesëtarët e personave të aksidentuar duhet të çojnë para drejtësisë heshtjen e Ministrisë së Edmond Haxhinastos, politikat e të cilit duhet të jenë që të shpëtohet jeta e qytetarëve dhe jo të bëhet palë me ARRSH e Dashamir Xhikës, i cili nëpërmjet skandalit të kësaj rruge ka ulur elementët e sigurisë rrugore, duke u bërë shkaktar i “Vrasjes me dashje” të udhëtarëve dhe drejtuesve të automjeteve në aksin rrugor Golem-Rrogozhinë. Mjafton raporti zyrtar i KLSH, i cili ka argumentuar abuzimet kolosale pikërisht për sinjalistikën rrugore në aksin Golem – Rrogozhinë, duke e dërguar para 3 muajsh çështjen në Prokurorinë e Tiranës. Nga ana e saj organi i akuzës në Tiranë hesht për faktin se çfarë po bëhet me këtë dosje dhe kush janë njerëzit që po e mbajnë pengë atë. Përfaqësuesit ligjor të Ambasadës së SHBA, BE, OSBE, Avokatit të Popullit duhet të ndërhyjnë menjëherë dhe të vendosin drejtësinë e munguar. Ministria e Brendshme nuk ka pse mban në kurriz pasojat e tragjedive të tilla, të shkaktuara nga hajdutët e ARRSH, por të hetojë nëpërmjet krimit ekonomik dhe atij hetimor këtë segment, pasi dihet fare mirë se Autoriteti Rrugor Shqiptar është përgjegjësi kryesor i sigurisë rrugore.
Sigal