Ministria e Drejtësisë dhe KLD/ Marrëveshje bashkëpunimi për monitorimin e gjyqësorit

552
Sigal

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa nënshkruan dje memorandumin e bashkëpunimit institucional për shmangien e mbivendosjes së kompetencave në Inspektimin Gjyqësor. Ky memorandum synon që të përmirësojë procesin e monitorimit të sistemit gjyqësor. Ministri i Drejtësisë, Halimi në fjalën e  mbajtur me këtë rast tha se, “. Ky nënshkrim përmbush drejtpërdrejt objektivat e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë dhe një ndër masat kyçe të Rekomandimit nr. 7 “Shteti i së drejtës”, të Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë me objektiv specifik harmonizimin e procedurave inspektuese dhe shmangien maksimalisht të mbivendosjeve. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj ekspertët e Misionit EURALIUS, të cilët na kanë asistuar nga afër në të gjitha sfidat tona, por edhe në përmbushjen e aktivitetit të sotëm. Ky akt i sotëm synon harmonizimin e procedurave dhe praktikës së inspektimit gjyqësor në të dy institucionet bazuar në parimin e roleve dhe përgjegjësive të ndara, për të:

i)përmirësuar efektivitetin dhe transparencën e inspektimeve në sistemin gjyqësor;

ii)rritur besueshmërinë e publikut ndaj gjykatave dhe ndaj autoriteteve shtetërore të inspektimit të tyre;

iii)nxjerrë rekomandimet e përshtatshme për përmirësimin në vijimësi të kuadrit ligjor përkatës;

Sistemi i drejtësisë ka nevojë për paanësi dhe pavarësi, po aq sa dhe për rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve përballë ligjit dhe Kushtetutës, po aq për rritjen e aksesit të publikut në drejtësi, po aq dhe për rritjen e transparencës së gjithë procesit gjyqësor, në mënyrë që qytetarët të kthejnë besimin tyre tek drejtësia. Është shumë i rëndësishëm monitorimi i pushtetit gjyqësor, evidentimi i gjyqtarëve të aftë nga ata të paaftë”. Vlerësime  shprehu dhe nënkryetari i KLD-se, Elvis Çefa, i cili tha se, “ky memorandum e ngre në një shkallë të re bashkëpunimin ndërmjet dy inspektorateve”.  Sipas tij, KLD, synon të ndërtojë strategji të qarta që çojnë në përmirësimin e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë.