Ministri Tahiri shkarkon dhjetëra policë e oficerë, pasi konstaton shkelje në ushtrim detyre

421
Sigal

Ministri i Brendshëm ka urdhëruar anulimin e tenderit për “Shërbim transporti karoatreci, parking, ruajtje automjetesh”

Me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtoria e Përgjithshme e Inspektimit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë kryer një hetim të gjerë lidhur me zbatimin e ligjshmërisë dhe procedurave e standardeve gjatë kryerjes së detyrës. Si pasojë e hetimit janë larguar nga strukturat e Policisë së Qarkullimit Rrugor të Tiranës rreth 80% të efektivit të këtij komisariati. Nga hetimi kanë rezultuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrave funksionale dhe akte abuzive me dokumentacionin nga ana e 11 oficerëve dhe 77 policëve, të cilët janë larguar nga Komisariati i Qarkullimit Rrugor Tiranë dhe janë vënë në dispozicion të Drejtorisë së Personelit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Ndër shkeljet e konstatuara mund të renditen: Në 28 raste të vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Kundravajtjeve Administrative mungonin lejet e Drejtimit të shtetasve, të cilat ishin brenda afatit të bllokimit. Nga verifikimet është konstatuar se në disa raste disa kundravajtës janë gjobitur përsëri për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, gjatë kohës që lejet e drejtimit të këtyre shtetasve duhet të ishin të bllokuara me vendim komisioni. Gjithashtu, rezultuan mangësi në mënyrën e plotësimit të procesverbaleve të konstatimit të shkeljeve (gjobave). Në mjaft raste janë tërhequr dokumentet e automjeteve si mënyrë presioni për të garantuar pagesa abuzive në kundërshtim me Kodin Rrugor. Nga punonjësit e rolit drejtues gjatë kësaj periudhe nuk është marrë asnjë masë administrative ndaj shkeljeve të punonjësve të Qarkullimit Rrugor, për mënyrën e plotësimit të procesverbaleve të konstatimit të shkeljeve, e cila konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore. Përveç masave administrative, për 4 oficerë të rolit të nivelit drejtues dhe 1 oficer të rolit zbatues janë referuar materialet në prokurori për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Në të njëjtën ditë Ministri i Brendshëm ka urdhëruar anulimin e tenderit për “Shërbim transporti karoatreci, parking, ruajtje automjetesh” si dhe kontratën e nënshkruar për zbatimin e këtij tenderi nga ana e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Tiranë me një subjekt privat. Ky vendim ka ardhur pas shqyrtimit të hollësishëm të procedurave të ndjekura për realizimin e tenderit dhe vënien e tij në zbatim. Nga ky shqyrtim kanë rezultuar shkelje të shumta procedurale dhe ligjore si më poshtë: E para,tenderi nuk duhej të zhvillohej nga Komisariati i Qarkullimit rrugor të Tiranës, pasi ky i fundit nuk ka kapacitetet e duhura për të realizuar këtë procedurë. Tenderët analogë për të njëjtin shërbim në qarqet e tjera janë kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë; Së dyti, Afati i kontratës. Tenderi i shërbimeve nuk mund të shtrihet në 5 vjet; Së treti, është vendosur një vlerë e kontratës, në një kohë kur pagesa e firmës do të bëhet sipas të ardhurave të realizuara nga shërbimi; Së katërti, është konstatuar shkelje me pagesën nga buxheti i shtetit të detyrimeve ndaj firmës, Së pesti, çmimet e larta për njësi. Çmimi i shërbimit të transportit është 4000 lekë, pra më i lartë se gjobat për kundravajtje administrative që është akt juridik. Bazuar në këto shkelje Ministri i Brendshëm ka urdhëruar anulimin e tenderit si dhe procedimin penal të zyrtarëve përgjegjës për këto shkelje ligjore.